Partia Socialiste nuk pranoi të votonte pro-kandidaturës të Simon Mirakës për anëtar në Autoritetin e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Edhe pse deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve pranuan kalimin e kandidatit Miraka për t’u votuar në Kuvend, mazhoranca votoi kundër emrit të tij.
Shkak ishte fakti se kandidimi i 77-vjeçarit u mbështet dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit reagoi ashpër në Parlament duke e quajtur akt të shëmtuar votën e socialistëve pasi e konsideroi Mirakën një ikonë të vuajtjes nga persekutimi në regjimin komunist për 44 vite me radhë.
Berisha e cilësoi këtë vendim të selisë rozë si diskriminim ndaj qytetarëve të pafajshëm. “Akt i shëmtuar. Sot refuzuar Simon Mirakën, një nga ikonat e vuajtjes së persekutimit dhe pasardhës i një familjeje të shkëlqyer. Një kombinim individ që lidh krimin, i fshinë emrin për të shkuar komisioner në Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Diskriminimi juaj ndaj qytetarëve është i pakufishëm”, u shpreh Berisha pas votës kundër përfshirjes së Simon Mirakës në AIDSSH.
Balla: Hiqni firmën e ‘katranit’ dhe e votojmë Mirakën
Më pas, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla foli në emër të mazhorancës se përse nuk duhej të votohej Simon Miraka. Ai bëri me dije se socialistët nuk do të pranojnë të votojnë asnjë kandidaturë apo propozim të ardhur me firmë të Berishës pasi mban statusin “non grata” nga SHBA. Balla iu drejtua opozitës nëse heqin firmën e “katranit me bojë” (Berishës) nga lista e propozimeve për Simon Mirakën, atëherë shumica socialiste do ta përkrahë Mirakën për anëtar të AIDSSH. “Z. Simon Miraka të cilin unë e kam votuar pak vite më parë në mandatin e tij të parë në autoritetin që e ngriti kjo shumicë.
Kur PD ishte në pushtet, nuk u ngrit kurrë një institucion që të hidhte dritë për dokumentet e Sigurimit të Shtetit. Dhe arsyeja është se edhe ky që bëri zhurmë këtu ka dritëhijet e tij. Ne nuk kemi asgjë me kandidaturën e z. Miraka. Jemi të gatshëm ta votojmë sërish nëse nga lista e propozuesve të hiqej emri i katranit me bojë. Do të ishte fyerje ndaj z. Miraka nëse pjesë e propozuesve do të ishte katrani. S’mund të pranohet që në autoritetin të jetë dikush që propozohet nga katrani që sot është njëlloj si Sigurimi i Shtetit”, reagoi Balla nga foltorja e Parlamentit.
PD: Nuk jemi kundër Mirakës, por ndaj Berishës, bëri pakt me Ramën
Grupi parlamentar i deputetëve demokratë kundër “Foltores” reagoi lidhur me rrëzimin e kandidaturës të Simon Mirakës për në Autoritetin e Dosjeve. Nëpërmjet një deklarate të shkurtër, ata bënë me dije se nuk janë kundër kandidaturës së Mirakës, por kundër faktit se ai është propozuar nga Berisha. Në këtë pikë, PD zyrtare dhe PS bashkohen në të njëjtën pikë.
Por, sulmi ndaj qeverisë nga ky fraksion i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj shtohet pasi socialistët hodhën poshtë kandidaturat e Besim Ndregjonit, Skënder Vrionit, Gjergj Markut dhe Marçel Hilës për në autoritetin e dosjeve, të cilat u sollën në parlament me propozimin e PD.
Përzgjedhja e vetme e Simon Mirakës nga PS për t’u votuar në Kuvend u konsiderua nga PD zyrtare si pjesë e paktit Berisha-Rama. “Reagim i Grupit Parlamentar të PD dhe një sqarim i detyruar për gënjeshtrën e prodhuar nga pakti Rama-Berisha për Autoritetin e Dosjeve Asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshtuar faktin që ai ishte propozim i Sali Berisha dhe ishte i vetmi që çuditërisht u përzgjodh me votat e Edi Ramës.
Në këtë rast është vënë në dukje standardi i dyfishtë i Partisë Socialiste. Revolta jonë ishte shprehje e faktit se me vota të deputetëve të PS u refuzuan pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik Marçel Hila, Skënder Vrioni, Gjergj Marku dhe Besim Ndregjoni, të cilët ishin propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politik dhe që u votuan nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve”, shkruhet në qëndrimin e grupit të deputetëve të PD zyrtare.
Spiropali sulmon Berishën me…poezi: I pashpirt, pabesinë e ke moral!
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u përball këtë herë me ish-kryeministrin Sali Berisha me një poezi të ish-shkrimtarit të ndjerë antikomunist, Luan Myftiu, i cili jetoi gjatë komunizmit i dënuar në Spaç dhe i persekutuar për shkak të lidhjeve të paraardhësve të tij me Ballin Kombëtar gjatë Luftës II Botërore.
Poezia e shkruar nga Miraka në vitin 2001 u drejtohet ish-zyrtarëve dhe funksionarëve komunistë gjatë diktaturës, të cilët me ardhjen e demokracisë ndërruan kahje politike duke u bërë kundërshtarët më të egër të komunizmit. Spiropali e zgjodhi këtë poezi duke patur parasysh të kaluarën politike gjatë komunizmit të Sali Berishës. Në vargjet e tij, ish-gazetari Myftiu i drejtohet komunistit të kthyer në antikomunist me fjalët: “Je i pashpirt, hipokrit, pabesinë ke moral, sa dhe shokët mohon. Je mashtrues, se të mburr kur të bën fukara, ta lë fajin në derë, je pacipë, maskara. Je një horr, të grabit sy ndër sy dhe pa turp të bën qorr”.
“Luan Myftiu, në moshë të vogël, komunistët i pushkatuan babain. E ëma e tij, nga tronditja, përfundoi në spital, duke lënë fëmijët të vetëm. Më vonë, atë e dënuan për propagandë. Kreu dënimin në Spaç dhe doli me ardhjen e demokracisë dhe u vendos në Tiranë. Më 2001 shkroi poezinë e tij emblematike, “Monologu i pendesës”, për sojin më të ligë të komunistit, që është anti-komunist: ‘Të besuam, të zgjodhëm, votuam për ty. Ti na rrahe, na shave, na ndave në dy. Ne u ngritëm të hiqnim nga zverku ty djall, ti na rrope, na dogje, ne dhe po na kall.
Je i pashpirt, hipokrit, pabesinë ke moral, sa dhe shokët mohon. Je mashtrues, se të mburr kur të bën fukara, ta lë fajin në derë, je pacipë, maskara. Je një horr, të grabit sy ndër sy dhe pa turp të bën qorr. Për kolltuk del nga varri lugat, që të jesh po ti Zot, s’le shenjtor pa mëkat”, tha ministrja mes të tjerash’ “, lexoi poezinë ministrja socialiste Spiropali, e cila në këtë mënyrë sulmoi ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha.
Felaj-Berishës: Uluni në vend, do thërras Gardën
Më pas, Berisha zë foltoren e Parlamentit për të replikuar me Spiropalin, por n/kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj i kërkoi stafit teknik që të fiknin mikrofonin. Më pas, teksa Berisha nuk po bindej për t’u tërhequr por vazhdoi të sulmonte Spiropalin, Felaj tha se do të detyrohej ta largonte ish-kryeministrin me forcë nëpërmjet punonjësve të Gardës së Republikës.
“Zoti Berisha, nuk e di përse e kërkoni fjalën pse ajo lexoi një poezi nuk ju ka përmendur kështu që nuk do ua jap fjalën. Ju lutem teknika të mos e ndezë mikrofonin kur nuk ia kam dhënë. Ju lutem, zoti Berisha, zini vend se e keni zaptuar foltoren pa ju dhënë fjalë. Tani më ngelet vetëm t’ju kërkoj shërbimeve të Gardës që zoti Berisha të lirojë foltoren. Jeni pa mikrofon dhe nuk ju është dhënë fjala”, iu drejtua Felaj Berishës. Më pas, ish-kryeministri u largua nga foltorja e Parlamentit dhe u ul në vendin e tij. /DARIO VELAJ