Nga procedurat e hetimit disiplinor, te kodi etik, te pastërtia e figurës, dhënia dhe heqja e licencës e dere te përfshirja në regjistrin zyrtar të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme.
Janë plot 8 urdhra dhe një udhëzim të publikuara tashmë në Fletoren Zyrtare, të cilat do të rregullojnë e do të mbikëqyrin tregun e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, një prej profesioneve të etiketuar tashmë si më të ekspozuarit kur vjen fjala te pastrimi i parave.
Procesit të licencimit, kontrollit etik e disiplinor, do i nënshtrohen edhe subjektet e huaja që ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri, ndërkohë që një prej risive kryesore është krijimi i Komisionit Disiplinor për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme.
“Hetimi kryhet për veprime ose mosveprime të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme për të cilat ka dyshime të arsyeshme se janë në kundërshtim me ligjin apo që përbëjnë shërbime të papërshtatshme profesionale, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi ose Kodin e Etikës Profesionale, përcakton një nga Urdhrat.
Ndërkaq Agjencitë do të jenë tashmë subjekt inspektimesh të rregullta lidhur me riskun e pastrimit të parave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Inspektimet do bëhen në dy faza, të cilat do të verifikojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, përfshirë veprimtaritë profesionale të tyre (veprimet e ndërmjetësimit, tarifat etj.) menaxhimin e zyrës (punonjës, detyrime tatimore dhe profesionale etj., verifikimin e zbatueshmërisë së rregulloreve të brendshme për kontrollin e rrezikut të pastrimit të parave për klientët ose transaksionet, si dhe të sistemeve për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave.