A është elektorati i Tiranës gati për “trazira sociale”? Kjo është pyetja që ngre profesori i njohur i Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Aleksandër Kocani në një analizë të botuar sot te Panorama.
Sipas tij, një vit më parë, në pranverë, kur opozita ishte e angazhuar me Çadrën e Lirisë, kishte një potencial shumë të madh për trazira sociale. E megjithatë, kjo nuk u përkthye në rrotacion, pak muaj më vonë.
Po sot si është situata?
Nga një vëzhgim i bërë në kryeqytet, me 900 intervista në shtatë zona të Tiranës, rezulton se qytetarët nuk duan ndryshim të statuquo-së aktuale.
Aleksandër Kocani
E thënë ndryshe, a ka në këto momente ky elektorat një “humor” aq “të zymtë” sa ta nxisë të hidhet në trazira, apo revolta sociale? Pyetja lind natyrshëm nga fakti që ka disa kohë që liderë të ndryshëm të opozitës artikulojnë thirrje drejtuar elektoratit shqiptar që shkojnë nga thjesht “mosbindja qytetare”, deri në pjesëmarrje në demonstrata të dhunshme.
Këtu nuk është qëllimi për të shtruar se sa legjitime është kjo kërkesë nga pikëpamja morale, mbasi kuptohet që për të, natyrshëm, ka qëndrime të ndryshme, shpesh edhe kontradiktore (deri edhe në akuzën se po kërkohet të nxitet një rikthim i situatës së vitit të mbrapshtë ’97).
Jo, thjesht po kërkohet që të kuptohet, bazuar në studime shkencore empirike, nëse shfaq ky elektorat një gatishmëri reale për t’u hedhur në trazira sociale në këto momente.
Po qe se ai do ta shfaqte këtë “potencial shpërthyes”, atëherë nga pikëpamja e logjikës së shkencave politike, do të kishte kuptim në këndvështrimin pragmatist që aktorë të ndryshëm politikë t’i kërkonin këtij elektorati ta shfaqte në veprim këtë potencial.
Në këto kushte, figurativisht, “barutit të thatë” të tij do të mjaftonte që “t’i hidhej një shkëndijë” që ai të mund “të shpërthente” në trazira sociale.
Ose, ndryshe, nga pikëpamja e llogaritjeve pragmatiste, shanset që të priteshin “trazira sociale” do të ishin relativisht të konsiderueshme. Për fat të mirë, shkencat politike e kanë një instrument matës që tregon ekzistencën e mundshme të një “humori” të tillë të elektoratit që paralajmëron “furtuna sociale”.
Madje, ai jo thjesht lejon të konstatohet ky “humor i zymtë”, por mat edhe shkallën “shpërthyese” të tij. Ky instrument quhet Indikatori i Mirëqenies Subjektive dhe ka për autor studiuesin e shquar të vlerave, prof. Ronald Inglehart.
Ai ndërtohet nga përgjigjet ndaj dy pyetjeve, që hetojnë shkallën e kënaqësisë nga jeta që bëjnë tani dhe atë të lumturisë që ndjejnë të anketuarit, sipas një formule të dhënë nga Inglehart. Vlera e llogaritur, sipas saj, e këtij indikatori tregon, në përgjithësi, shkallën e legjitimitetit që i jep elektorati pushtetit politik.
Kur kjo vlerë është afër zeros, ose zbret relativisht pak poshtë saj, atëherë indikatori tregon për shkallë të ulët të legjitimimit të pushtetit politik që, me gjasë, flet për prirje të elektoratit drejt kërkimit të një rotacioni politik.
Kur vlerat e këtij indikatori në kahun e numrave pozitivë e kalojnë shifrën e 10%, atëherë kemi një dëshmi empirike që ky elektorat më shumë i jep legjitimitet pushtetit aktual politik, sesa kërkon ndryshimin e tij.
Pra, gjasa që të ketë rotacion politik është relativisht mjaft e vogël. Ndërsa, për vlerat e tij përtej “- 10%” në kahun rritës negativ, do të thuhej si interpretim se ato, me shumë gjasë, paralajmërojnë jo thjesht një rotacion politik, por edhe mundësinë e “shpërthimeve sociale” të afërta.
Në Departamentin e Shkencave Politike pranë Universitetit të Tiranës ekzistojnë rezultate të matjes së këtij indikatori që nga viti 1998 dhe që kanë qenë pothuaj të përvitshme, duke nisur që nga viti 2003.
Si instrument që lejon parashikime të sjelljes politike të elektoratit, ai është përdorur për të bërë parashikime të tilla si për të shkuarën, ashtu edhe për të ardhmen dhe, në përgjithësi, ka dalë relativisht mjaft i suksesshëm në këtë mision parashikues.
Për këtë ka dëshmi si nga deklarime në konferenca shkencore, ashtu edhe në botime në revista shkencore e gazeta. Nëse i kthehemi vlerave të këtij indikatori këto 2-3 vitet e fundit, atëherë kemi për vitin 2016 vlerën prej “- 11.9%”, e cila fliste për një “humor të zymtë”, që kishte nisur të shkonte përtej kërkesës për rotacion politik.
Në vitin 2017 ky “humor i zymtë” u thellua më tej dhe këtë e tregon vlera e indikatorit që ishte “- 23.4%”. Një vlerë e tillë dëshmonte, me më shumë gjasë, mundësinë e trazirave sociale.
Lexuesi i nderuar, nëse dëshiron, mund të kujtojë se deri në pranverën e atij viti, kur janë bërë matjet e kësaj vlere, pati një sërë aksionesh politike të opozitës dhe shfaqje të kundërshtimit të qeverisë nga një pjesë e elektoratit.
Një tregues i një “zymtie” të tillë të “humorit” fliste pa dyshim për një nivel relativisht mjaft të ulët të legjitimitetit që i jepte në atë kohë elektorati i Tiranës pushtetit politik.
Dhe, meqë shumë afër (në qershor të atij viti) ishin zgjedhjet parlamentare, një nga mundësitë e pritshme ishte që ky nivel “humori të zymtë”, të paktën, ta shtynte elektoratin të votonte për rotacionin politik.
Por, kjo gjë nuk u konstatua në zgjedhjet në fjalë. Kështu që lypset të hetohen mundësi të tjera shpjeguese të sjelljes votuese të këtij elektorati në zgjedhjet në fjalë. Ndoshta, për këtë ndihmon shqyrtimi dhe interpretimi i vlerës së Indikatorit të Mirëqenies Subjektive të matur gjatë muajve prill-maj të këtij viti.
Ashtu si dhe një vit më parë, për llogaritjen e vlerës së këtij indikatori u përdorën të dhënat nga disa anketime të zhvilluara me elektoratin e qytetit të Tiranës.
Më konkretisht, 4 të tilla me mbi 900 të anketuar në 7 zona elektorale të zgjedhura me procedurë të rastit. Vlera mesatare e llogaritur për IMS doli “+8.375%”, e cila përbënte një rritje të ndjeshme kundrejt vlerës përkatëse të llogaritur një vit më parë.
E para gjë që mund të thuhet më me siguri për këtë vlerë, është se ajo dëshmon që “humori” aktual i elektoratit të qytetit të Tiranës nuk ka fare karakter “zymtësie”.
Pra, që, me mjaft gjasë, ky elektorat, për arsye të ndryshme, e legjitimon pushtetin ekzistues politik dhe nuk do të votonte për rotacionin e tij nëse, siç thuhet në këto raste, do të kishte zgjedhje të përgjithshme mbas një jave.
Nisur nga ky ndryshim i konsiderueshëm i vlerës së IMS, mund të supozohet që “ulja e tensioneve të brendshme” në “humorin” e këtij elektorati, lidhet jo me përmirësimin e imazhit që ka ai tani për klasën politike shqiptare, por me një pritmëni, me një shpresë se me përparimin e vetingut gjendja do të vijë duke u përmirësuar.
Kështu që, me gjasë, ai e sheh si më të dobishme që të ruhet statuquo-ja e tanishme e pushtetit politik, në funksion të realizimit të vetingut në fushat kryesore të jetës social-politike të vendit.
Por, edhe nëse interpretimi i mësipërm nuk do të qëndronte, prapë mbetet fakt se “humori” aktual pozitiv i elektoratit të qytetit të Tiranës nuk krijon terren për aktivizimin e tij në veprimtari të tipit të trazirave sociale.
Çdo tentativë për ta thirrur atë në veprime destabilizuese, sipas hulumtimeve shkencore, del se nuk i përgjigjet gatishmërisë së tij për të marrë pjesë në to. Kështu që ajo nuk përbën një veprim politik realist, por të bazuar në një qëndrim voluntarist, subjektiv.
Prandaj, edhe në vendet e zhvilluara perëndimore, forcat politike përpara se të ndërmarrin një veprim politik, e testojnë pranueshmërinë e tij nga elektorati me anketime, në mënyrë që të maksimalizojnë dobinë politike që vjen prej tij.
Të njëjtën gjë do të duhej të bënin edhe aktorët politikë shqiptarë, nëse do të luanin me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri politike. Por, …