Çështja e Parkut Kombëtar të Butrintit zuri vendin kryesor në seancën plenare të ditës së djeshme. Pasdite, kryeministri Edi Rama u përplas ashpër me opozitën, e cila akuzon se po abuzon me dhënien me koncesion të parkut në fjalë që mbrohet nga UNESCO për qëllime klienteliste. Lideri i demokratëve, Sali Berisha e quajti Ramën “il padrino” (kumbar i mafies) duke e akuzuar se bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, i cili është shpallur investitor strategjik i Butrintit, përbëhet nga njerëz që kanë lidhje klienteliste me kryeministrin (Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata).
Sipas Berishës pas kësaj megaafere korruptive qëndron vetë rivali i tij. “Nuk kam akuzuar Fondacionin Amerikan për korrupsion. Ai ka bërë projektet më të shkëlqyera, por u përdor nga Edi Rama për të shpërbërë parkun, 830 hektarë për klientelën. Sa i përket aferave të tjera, mund të them kaq.
Ai bord përbëhet i tëri nga njerëz më të afërt të tij, përveç njërit. Ka qenë këshilltari i Edi Ramës, i paguar nga Fondacioni i Shqipërisë së hapur. Sarapuli dhe Mata, famoz për lidhjen e tij me Ramën. Të gjitha fijet të çojnë të ‘Il Padrino’, te ti si padrino i megaaferës (Rama)”, deklaroi ish-kryeministri demokrat në Kuvend.
Rama-PD: T’ju rrojë flamuri me lule të ballit
Kryeministri sulmoi opozitën se po dëmton Fondin Shqiptaro-Amerikan, i cili ka marrë përsipër menaxhimin e Parkut të Butrintit. Ai ironizoi Partinë Demokratike se nuk mund të rikthehet më në pushtet dhe ka mbetur peng i vetvetes duke qëndruar në opozitë.
“Kur dilni ju e flisni sesi Fondi Shqiptaro-Amerikan do u grabisë, është për të kërkuar ndjesë.
Gjithë këtij plani ju thjesht i merrni të keqen. Ne do vazhdojmë të bëjmë gjënë e duhur se e fut trashëgiminë tonë kulturor në një zonë tjetër komplet është me shumë rëndësi që AADf (Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit) merr përsipër të hyjë në këtë punë, siç është me shumë rëndësi.
Rrotullohuni sa të doni dhe t’ju rrojë flamuri me lule të ballit që e keni tani se gjë tjetër nga ky vend nuk keni ç’a i merrni dhe ç’a i jepni. Ne do të votojmë dhe do i bëjmë gjërat siç i bëjmë dhe ju nuk mund të merrni peng asgjë. Koha e pengmarrjes ka marrë fund dhe jeni aty ku e keni merituar. Jeni peng i vetvetes, këtë keni dashur e keni arritur dhe të rroni vetë të gjithë bashkë”, u shpreh Rama.
Tabaku: Të ngrihet komision hetimor
N/kryetarja e PD, Jorida Tabaku i kërkoi sërish kreut të mazhorancës që të miratojë ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar për zbatimin e ligjit të investitorëve strategjikë për zonat e mbrojtura. Ajo e pyeti Ramën se përse qeveria nuk e mbrojti Teatrin Kombëtar dhe ish-Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, të cilat u shembën për të ngritur projekte të reja.“Foli për çdo gjë, por vetëm për Butrintin nuk foli. Ngrije komisionin e Posaçëm që kemi kërkuar për investitorët strategjik.
Aty do shohësh se çfarë kanë. Bëhet transparencë për të gjitha. Një analizë e BIRN thotë për një projekt ku shumë e kanë kundërshtuar. Pak njerëz në administratë e kanë kundërshtuar. Pse nuk e mbajtët Teatrin Kombëtar? Pse nuk e latë ashtu stadiumin? Hap komisionin e posaçëm dhe do e shohim se si janë dhënë 4 leje për zonat e mbrojtura”, iu drejtua deputetja demokrate kryeministrit.
Kryeministri: Do largohen investitorët
Por, Rama i është përgjigjur n/kryetares së PD duke e quajtur absurde kërkesën e opozitës për ngritjen e këtij komisioni pasi nëse do të aprovonte një gjë të tillë, atëherë investitorët do të tërhiqeshin. Ai akuzoi paraardhësin e tij Sali Berisha si përfaqësues të shkatërrimit ekonomik dhe territorit duke e cilësuar si “flamurin e barbarisë” për ndërtime pa leje. Ai u bëri mesazh demokratëve ta shembin partinë që i përfaqëson dhe të mos vazhdojnë t’i besojnë më liderit të demokratëve Sali Berisha, të cilin e etiketoi “leckë të rrënuar e shpallur ‘non grata’ nga SHBA”.
“Ju kërkoni që të ngriheni komision hetimor për të filluar hetimet për investitorët. A jeni në terezi apo jo? Si mund të bëhet kjo njëherë apo thjesht investitorët të ikin nga sytë këmbët dhe mos të kthehen në Shqipëri, pa filluar punën?! E dyta; kur bëhet fjalë për investitorë strategjikë, të cilët investojë në prona private, do të kishte qenë mirë që Ksamili mos të zhvillohej në mënyrë barbare, por flamurin e barbarisë e ke në sallë.
E keni ju prej 30 vitesh që s’ju i ndahet nga koka, e keni në majë të kokës. Ato ndërtime pa leje s’janë ngjarje sporadike, por ideologji e tërë. Shembeni PD-në si Teatrin, lëreni një Aleancë Teatrit të mbrojë dhe atë rrënojë. Ngrini një të re, se demokratët s’dinë kujt t’i shkojnë nga mbrapa. T’i shkojnë mbrapa një leckë të rrënuar të shpallur non-grata nga SHBA është krim”, replikoi Rama me Tabakun.
Rama ironizon opozitën me fjalët Xhaferrajt
Më tej, lideri socialist ironizoi opozitën duke u kërkuar të krijojnë një Aleancë për mbrojtjen e Amfiteatrit të Butrintit njësoj siç veproi me ish-Teatrin Kombëtar për ta shpëtuar nga grabitja e qeverisë. Ai theksoi se më pas opozita do përmirësojë në fund cilësinë e diellit duke thumbuar deputetin demokrat, Ferdinant Xhaferraj, i cili tha këtë shprehje në kohën kur ishte Ministër i Kulturës. “Aleancën e amfiteatrit bëjeni gati se do vijmë për të krijua një zonë bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan, ta gllabërojmë ta heqim nga duart e ilegalëve që e kanë mbajtur nën peshën e tyre, do bëjmë një vepër tjetër. Kur t’i mbarojmë të gjitha do vini ju dhe do përmirësoni cilësinë e diellit”, tha Rama.
Deputeti i PD kujton Ramës raportin e DASH
Ndërkohë deputeti i Durrësit, Ferdinant Xhaferraj iu përgjigj Ramës duke i thënë se ajo që tha para 10 vitesh ishte një lapsus. Ai i përmendi raportin e Departamentin Amerikan të Shtetit që kritikonte qeverinë për nivelin e lartë të korrupsionit dhe sulmet ndaj gazetarëve nga qeveria dhe grupet kriminale. Xhaferraj dha si shembull për këtë konstatim të DASH Edi Ramën dhe Emiljano Shullazin. “Të falënderoj se u bënë dy raste kur më përmend një lapsus të para 10 vitesh.
Si në rastin e parë dhe në të dytin ju kam thënë se si po e bëni Shqipërinë dhe ti më kthehesh me një kundër argument me një lapsus. Ndihem mirë, se e mbylle fjalimin me një thënie të Amerikës. Para 2 muajsh doli një raport nga SHBA, që e quajtët ‘copy paste’, që detyronte DASH që të bënte këtë raport.
Aty ka pasur një shprehje që ju ka ‘djegur’ shumë. Qeveria shqiptare dhe grupet kriminale, kanë kërcënuar gazetarët. Edi Rama dhe Emiljano Shullazi kanë kërcënuar gazetarët. Ky jeni ju!”, tha Xhaferaj. Megjithatë pas shumë debatesh, Kuvendi ka miratuar marrëveshjen për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit, me 75 vota vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim.