Ditën kur Berisha ka organizuar një proces votimit në Partinë Demokratike për tu rikthyer në krye të saj, Lulzim Basha, ish-kryetari, ka zgjedhur të japë një mesazh në mënyrë shumë të tërthortë. Ai ka zgjedhur 38-vjetorin e revoltës së Qafë Barit për t’i kujtuar shqiptarëve që të mos e marrin lirinë si të mirëqenë dhe të mos i lënë ato që ai quan ‘mbeturina të komunizmit’ të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës.
“Me 22 maj 1984, 11 vite pas kryengritjes së Spaçit, në një tjetër burg mizor të diktaturës komuniste ringriti krye shpresa për liri dhe kundër padrejtësisë.
Sot përulemi me respekt para heroizmit të martirëve të revoltës së Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dhe qindra bashkëvuajtësve të tyre, të burgosur politikë që sfiduan me kurajo regjimin gjakatar nga brenda kampit të vuajtjes, ku dhuna e egër ishte e vetmja gjuhë me të cilën diktatura u komunikonte mizoritë e saj njerëzve të lirë, që nuk u dorëzuan kurrë përballë regjimit.
Revolta e Qafë Barit është pjesë e trashëgimisë politike të rezistencës antikomuniste, e bashkë me vendet e kujtesës, përbën një pasuri shpirtërore dhe kulturore që duhet mbrojtur e nderuar për të mos lejuar që harresa të fshijë vuajtjet dhe sakrificat që farkëtuan shpirtin e rezistencës ndaj regjimit mizor, për të mos lënë mbetjet e komunimizit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë.
Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit”, ka zgjedhur të shkruajë Basha, pikërisht në momentin kur Sali Berisha po votonte për veten në Selinë e Partisë Demokratike”, shkruan Basha.
‘Mbetje të komunizmit’ është një term që Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi e kanë përdorur shpesh muajt e fundit për t’iu referuar Sali Berishës dhe aksionit të tij për tu rikthyer në Partinë Demokratike.