Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë miratoi njëzëri që opozita të propozojë e vetme kandidaturat për zgjedhjen e presidentit të ri në raundin e dytë dhe të tretë, ndërsa në dy fazat e fundit ku kryetari i shtetit mund të zgjidhet me 71 vota, mazhoranca do të sjellë kandidaturat e veta.
Seanca e radhës së ditës së djeshme arriti pikën e parë të bashkëpunimit pozitë-opozitë për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës në krye të shtetit shqiptar.
Kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës socialiste, Taulant Balla mirëpriti propozimin e Alibeajt që opozita të ketë të drejtën të sjellë emrat e mundshëm për president në dy raundet e ardhshme, por doli kundër pikës tjetër të Alibeajt që mazhoranca të mos ketë të drejtë të propozojë emrat e saj për president.
Ai ftoi kreun e opozitës që të sigurojë 20 firma deputetësh për të votuar një kandidaturë të preferuar të opozitës. Për sa i përket ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Grupit të Rithemelimit të PD, zyrtari i lartë socialistë theksoi sërish se mazhoranca nuk pranon asnjë propozim nga Berisha për shkak të statusit “non grata” të vendosur nga SHBA.
Nga sot deri në fund të këtij procesi kanë ngelur 4 raunde. 2 prej tyre i takojnë opozitës, 2 shumicës. Natyrshëm që 2 të mbeturat i takojnë opozitës sepse ne nuk i kemi 84 vota dhe i takon që të jetë bashkëpunuese, si dhe neve që të jemi shumë më shumë bashkëpunues.
Ju Alibeaj thoni opozita të ketë të drejtën e propozimit, unë jam dakord por jo të keni monopolin. Procesi duhet të synojë zgjedhjen me shumicë të cilësuar, jo me çdo kusht. Që presidenti të zgjidhet duhet të gëzojë të drejtën e 20 firmave. I keni ju 20 firmat? Silleni kandidatin!
Ne kemi vendosur një kusht që kandidatë që vijnë nga katrani me bojë nuk pranojmë. Për non grata e kisha fjalën”, iu drejtua Balla-Alibeajt.
Alibeaj: Ne sjellim 4 kandidatura, dy i zgjidhni ju, pastaj votojmë
Nga ana tjetër, kryetari i përkohshëm i selisë blu, Enkelejd Alibeaj shtoi një tjetër kërkesë ndaj mazhorancës socialiste që opozita të sjellë 4 kandidatura për president dhe shumica socialiste të zgjedhë 2 prej tyre dhe në fund palët të përcaktojnë se cili prej tyre do të dërgohet për t’u votuar në Kuvend.
Ai përsëriti që kandidatët të jenë antikomunistë, të mos jenë përfshirë në korrupsione dhe të përmbushin ligjin e dekriminalizimit. “Dekriminalizimi, dekomunistizimi, antikorrupsionin, këto janë kritere që do të duhet të profilizojnë presidentin e vendit. Është legjitime dhe e justifikuar, e shkon drejt frymës së Kushtetutës që të jetë e drejta e propozimit. Kemi ende të drejtë për të propozuar t’i përkasë opozitës.
Të propozojmë 4 kandidatura, dy i zgjidhni ju dhe më pas të shkojmë tek emri final”, propozoi Alibeaj në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Por, Balla u shpreh kundër kësaj kërkese të palës kundërshtare që opozita të sjellë 4 kandidatura pasi i heq të drejtën mazhorancës të hedhë në letër kandidaturat e veta për Kreun e Ri të shtetit shqiptar.
“Në Konferencën e Kryetarëve dje unë kam kërkuar zotit Alibeaj që dakord ta fillojmë diskutimin te ky dokument që nga ky kushti që vetëm si është shprehur këtu që vetëm opozita parlamentare ka të drejtën të propozojë 4 kandidatë, është kusht që ne nuk e pranojmë.
Por deri kur të shkojmë në atë moment do ishte mirë për publikun të kuptojë për çfarë po flasim”, dha qëndrimin e tij Taulant Balla për këtë pikë të kërkesës së Alibeajt.
Gjiknuri-Alibeajt: Sillni emrat, të mblidhemi pasdite
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe njëri prej anëtarëve të grupit negociator për zgjedhjen e presidentit të tetë të periudhës së pluralizmit, Damian Gjiknuri kërkoi që opozita të sjellë në tavolinë emrat që i konsideron si të përshtatshëm për t’u votuar për president në mënyrë që të diskutohen me mazhorancën.
Ai ftoi palën kundërshtare që të mblidheshin sërish pasditen e djeshme për të shqyrtuar për herë të parë kandidatët për drejtuesin më të lartë të Shqipërisë. “Ne jemi dakord, sillni një emër që përmbledh kriteret! Një, 2, 3, 4 emra, hajdeni në tavolinë negociatash! Nuk ka nevojë për shfaqje, na jepni shansin dhe ne e mos na paragjykoni.
Nuk keni të drejtë të na paragjykoni. Ne nuk do ta lëmë vendin pa president nëse raundet do të digjen. Jam dakord me Alibeajn, sillni emrat sipas kritereve që keni vendosur dhe hajdeni ti negociojmë, që sot pasdite lini një orar dhe hajde të dialogojmë, gjithçka tjetër është politikë “, deklaroi Gjiknuri.