Gazetari investigativ Adriatik Doçi foli mbrëmjen e djeshme lidhur më çështje si korrupsioni, tenderat dhe koncesionet dhe si kanë vijuar ato në vendin tonë.
Ai kërkoi nga SPAK që të hetonte këto raste ku politikanët blinin prona me vlera marramendëse nga hiçi dhe tregoi rastin e Ilir Metës që nisi me një apartament në Golem të ndërtonte pallat e të blinte një vilë luksoze si ajo ën Gjirin e Lalzit.
“Le të marrim vilën e Ilir Metës, që e ka bërë në Gjirin e Lalëzit, ku sot nuk kemi një faturë se sa kushton ajo vilë. Në vitin 2003 ka blerë 60 mijë dollarë me kredi tek banka-italo shqiptare atëherë dhe ka blerë një vilë në Golem të Kavajës.
Këtë vilën pas 3 vitesh e shet 300 mijë euro. Me këto dhe një kredi merr një apartament 400 mijë euro tek Rruga e Barrikadave. Blen tokën pastaj ku ka ndërtuar dhe pallatin. Me të shitur hyrje aty merr mbi 1 milion euro.
Pastaj pretendon që një pjesë të dyqaneve aty i ka shkëmbyer me vilën në Gjirin e Lalzit. Por vetëm pjesa e palmave jashtë e tejkalon vlerën e dyqaneve. U bë dhe një reportazh atëherë për vilën, një nga gabimet e Kryemadhit, ku ra në sy luksi i jashtëzakonshëm.
Kur nisi diskutimi për Reformën në Drejtësi reportazhi u zhduk, nuk është më. Nëse SPAK hesht para këtyre fakteve ky është modeli i pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Do vazhdojmë të merremi me peshq të vegjël. SPAK le ta verifikojë kush janë ata që paskan vila luksoze në Dhërmi, Gjirin e Lalzit, në Palasë apo kudo”, u shpreh Doçi.