Nga Bledi Lumani
Në disa nga këto portalet periferike, që janë në borderonë e Ilir Metës, mëngjesin e djeshëm paralajmërohej me titull të tipit “Çfarë po ndodh, Edmond Panariti thërret mediat në Sanatorium”, se veterineri drejtor i Ilir Metës, do të shkonte në spitalin e të shtruarve rëndë, për kushedi se çfarë, pasi lajmi pakërreshtas mbështillej më një tis misterioz!
Logjika të thoshte se në Sanatorium do të kishte ndodhur ndonjë gjëmë e rëndë dhe profesor Mondi do të paraqitej si i dërguar i Metës, për të bërë ndonjë denoncim a ndonjë sensibilizim.
Por në fakt, jo! Edmond Panariti kishte shkuar për t’u interesuar si ishtë gjëndja e kompozitorit Limos Dizdari, që po lufton me vdekjen prej disa ditësh.
Dhe ai, profesor Mondi, ndryshe nga sa ndodh normalisht kur i shkon dikujt në spital, pa bujë e pa zhurmë, që të mos e shqetësosh atë dhe të afërmit e tij, kishte lajmëruar mediat paraprakisht, që ta prisnin para derës së spitalit kur të dilte.
Tani, se çfarë mund të thoshte profesor Mondi për gjëndjen e të shkretit Limos dhe se përse mediat duhet të interesoheshin se çfarë do të thoshte ai për gjëndjen e Limosit, dhe për këtë duhej ta prisnin para derës, kur fare mirë gazetarët mund të pyesnin mjekët përgjegjës, apo të afërm të kompozitorit, kjo është e vështirë të kuptohet për një mëndje normale.
Por nuk mund t’iu vësh faj shumë, se ashtu iu kanë thënë në redaksi të bëjnë. Ajo që të patakste, ishte seanca e pyetje-përgjigjieve mes Panaritit dhe gazetarëve, të cilët, kujtoj, ishin mbledhur aty për gjëndjen shëndetësore të Limos Dizdarit.
Ndërsa Limosi është i shtrirë në krevatin e Sanatoriumit, nga ku nuk dihet nëse do të ngrihet më, profesor Mondi me gazetarët kishin një tjetër shqetësim, atë se pse Ilir Meta nuk e ka dekoruar ende kompozitorin.
Dhe aty u tha se faji paska qenë i Edi Ramës, se Limosi ka pasur një konflikt me Qeverinë për qendrën “Dea” në Ksamil, dhe nuk kishte kohë të shkonte në Presidencë të merrte dekoratën e Metës, aty ku mbajnë radhën nga artistë e figura të njohura publike, deri tek kuzhinierë e pronarë restorantesh.
Në fund, doli se profesor Mondi, që tha se kishte shkuar të vizitonte Limosin, në fakt ndodhej aty që të shfajësonte Ilir Metën nga “turpi” pse nuk e kishte dekoruar ende kompozitorin e njohur, siç paskësh akuzuar një ditë më parë lësëisti i zhgënjyer Luan Rama në një television periferik, por që nuk i kishtë shpëtuar syrit të vëmendshëm të Ilir Metës. Ndaj dhe nisi që pa gdhirë në Sanatorium profesorin dhe mediat pas tij.
Edhe pse cinike, të shpresojmë që Limosi të bëhet mirë dhe të ngrihet nga krevati, jo vetëm për të mirën e vet dhe familjes së tij, por dhe për “nderin” e Ilir Metës.
Përndryshe presidenti nuk do ia falte vetes, që Limosi iku nga kjo jetë pa marrë dekoratën e tij!
Se jo për gjë, po ka rrezik t’i dërgojë profesor Mondin nga pas, me dekoratën në xhep.