Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka paralajmëruar arrestimin e ministrisë së Bujqësisë Frida Krifca.
Për Monika Kryemadhin, hetimi për inceneratorët do të nxjerrë emra të tjerë në pah, të lidhur me abuzime dhe projekte fiktive. Sipas kësaj, këto të fundit janë dhënë nga ujësjellësit dhe Agjencia për Zhvillimin Bujqësor e Rural. Në një intervistë televizive, Kryemadhi pranoi se bëhet fjalë për ministren Frida Krifca, që dikur drejtonte AZHBR.
“Kompanitë që kanë bërë evazionin fiskal tek inceneratorët, dalin edhe te Ujësjellësi edhe tek AZHBR-ja. Duke gjurmuar inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës rezultuan se kanë fituar tendera 1,2 milionë euro në bashki por pa bërë asnjë lloj punimi.
Se çfarë punimi do të bëjë në ujësjellës në Fier një firmë që merret me kantinë vere? Dhe kompania që merret me ujësjellësin shkon merr X milionë euro te AZHBR-ja që në atë kohë drejtohej nga Frida Krifca. Dhe projekt nuk kishte gjëkundi. U jam drejtuar me shkresë dhe nuk më kanë dhënë informacion për projektin pasi pretendojnë se janë sekrete. Si qenkan sekrete paratë e taksapaguesve europianë që jepen për shqiptarët?”, tha Monika Kryemadhi.
Ajo shtoi se Edi Rama do ta lëshojë para SPAK-ut ministren e Bujqësisë, ashtu sikurse në rastin e ish-zv,ministres Rovena Voda. Ndërkohë, edhe më herët kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u shpreh se ajo që po ndodh me hetimet e inceneratorëve është një meritë e padiskutueshme e kallëzimeve që LSI ka depozituar në SPAK”.
“E gjitha kjo që po ndodh sot me hetimet e inceneratorëve është një meritë e padiskutueshme e kallëzimeve që LSI ka depozituar në SPAK me fakte, dokumente për çdo shkelje ligjore për të cilën janë bërë në mënyrë procedurale të njëpasnjëshme nga zyrtarë politikë të lidhur me kryeministrin”, tha ajo.