Sali Berisha nuk do të jetë i vetëm në garën për kreun e PD. Ndonëse duket një garë që nuk e favorizon, Ibsen Elezi ka shpallur kandidaturën për të garuar përballë ish kryeministrit më 22 maj për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Lajmin e ka konfirmuar për Report Tv, Ibsen Elezi, i cili ka depozituar dokumentet pranë komisionit operacional zgjedhor të PD dje ne orën 11.30.
Kujtojmë se Ibsen Elezi, vitin e kaluar në zgjedhjet për kryetar të PD-së ku u rizgjodh Lulzim Basha, u përjashtua nga kandidimi, pasi nuk i kaloi filtrat e kryesisë së PD dhe kriteret e komisioni zgjedhor.
7 maji ishte afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për garën për kryetar të PD, ndërsa në garë është edhe Sali Berisha, i cili i depozitoi dokumentet ditën e premte. Sakaq nesër pritet që të mblidhet Komisioni Operacional Zgjedhor, për të verfikuar dokumentacionin e kandidatëve të cilët kanë depozituar dokumentat, për kreun e PD-së.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar Edvin Kulluri dhe anëtari i Këshillit, Fatbardh Kadilli kishin shpallur në media kandidaturën për kreun e partisë, por pak ditë më parë njoftuan tërheqjen nga gara. Berisha nga ana tjetër ka thënë se nëse do të ishte i vetëm ai në garë, më datë 22 do mbajë një referendum nëse anëtarët e PD-së e duan si kryetar.