Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe në Gjilan.
“Midis 4 korrikut 1998 dhe shtatorit 1998 dhe më ose rreth 28 ose 29 prill në vitin 1999, disa pjesëtarë të UÇK-së ndaluan së paku dymbëdhjetë persona pa një proces të rregullt ligjor ligji në Budakovë. Të arrestuarit, të cilët u mbajtën për periudha të ndryshme kohore, u ndaluan fizikisht dhe u mbajtën në dhoma të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosur.
“Menjëherë pas ndalimit në Budakovë, të paktën një nga të arrestuarit u transferua në Semetishtë dhe po ashtu u mbajt aty deri rreth orës 19:00 deri më 20 gusht 1998. Në këto ndalime u përfshinë shumë anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë pjesëtarët e Brigadës 123 në Zonën Operative të Pashtrikut”.
Gjykata Speciale, versionin e redaktuar të aktakuzës së re e ka publikuar në ueb-faqen e saj.
Gjykata Speciale në Hagë.
Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
Më 25 shtator në Prishtinë janë arrestuar edhe krerët e Organizatës të Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Më 7 tetor, dy udhëheqësit e shoqatës u deklaruan të pafajshëm për akuzat që përfshijnë pengimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Të dy të pandehurit i thanë kryetarit të trupit, Charles Smith, se ishin të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.