Saliu ra dhe “i ra qemanes” anti-SHBA në kuvendin tallava, 78% e deputetëve të PD e bënë “lanet”
Kur Sali Berisha ra në gjendje të fikti më 12 dhjetor 2011, duke folur në podiumin e 21 vjetorit të themelimit të PD, sqaroi se shkak ishte “ç’ekuilibrimi i një pllake në sistemin e gjakut”; ndërsa pas rrëzimit në skenën e Kuvendit të Foltores për ri-themelimin, nuk dha asnjë sqarim, por shkak ka qenë bërja e “gjakut ujë” nga vendimi “non grata”, dhe tmerri i përballjes me drejtësinë.
Për situatën e rëndë psikologjike që ka, Saliut i japim të drejtë kur e shohim që bën si i çmendur e rrëzohet në tribuna, madje nuk është çudi që të rrëzohet edhe nga krevati; mbasi në kuvend u shpërfill prej shumicës së deputetëve dhe nga 400 delegatë të zgjedhur prej Foltores.
Nëse për delegatët, ai nuk do t’ia dijë ngaqë i konsideron ca “dele” më pak në tufën që po i shkon prapa; mungesën e deputetëve në kuvendin “non grata”, Sali Berisha e quan braktisje të tij dhe aleancë të tyre me qëndrimin e DASH.
Në tollovinë e 30 prillit, nuk shkuan 35 nga 45 deputetë që ka të regjistruar grupi parlamentar i PD, por nuk i shkuan as 13 deputetët e partiçkave të Mediut, Idrizit e Dules, të cilëve Sali Berisha u dhuroi mandatet e demokratëve më 25 prill.
Rezulton se prapa “qerres” së Sali Berishës, kanë shkuar vetëm 10 deputetë të PD dhe deputeti Kasëm Mahmutaj i Beratit, mik personal e “punësh” të pista me Fatmir Mediun, që ka marrë mandatin nga lista e PD, por është bashkuar me grupin “dogana” të Shpëtim Idrizit.
Ndërkohë që deputetët Grida Duma, Ervin Salianji e Tomor Alizoti ndryshuan mëndje ditën e fundit, dhe u shkëputën nga lëvizja anti-amerikane e Sali Berishës.
Por befasisht, i shkoi prapa deputetja pasanike Ina Zhupa, që sipas informacionit të “Pamfleti”, është rekrutuar me “kulaç e kërbaç” nga Albana Vokshi, mbasi dy burrat e tyre, Arjan Tartari e Fabian Goçi, janë të lidhur në kontrabandë karburantesh, trafiqe etj.
Me 11 deputetë në sallë, “non grata” Sali Berisha u vetëshpall Kryetar i PD dhe pronar i saj sikur e ka shtëpinë e tij, duke u bërë presion 35 deputetëve që t’i bashkoheshin aventurës kundër Shtëpisë së Bardhë.
Kuvendi i 30 prillit, i tregoi Sali Berishës se e mbështet vetëm 22% e grupit parlamentar, ndërsa 78% e deputetëve janë në linjën zyrtare të PD dhe linjën e partneritetit integrues me DASH, i cili e ka damkosur dhe nuk e njeh ish-kryetarin “non grata”.
Megjithëse nuk ka votat e shumicës absolute të deputetëve, Sali Berisha e deklaroi të shkarkuar Kryetarin e Grupit, Enkelejd Alibeaj, kur këtë të drejtë statutore nuk e ka kuvendi qoftë dhe ligjor i PD, por vetëm deputetët anëtarë të grupit.
Nëse psh, Këlliçi, Vokshi, Noka, Spaho, Bujar Leskaj, Tritan Shehu dhe 4 idhtarët e tjerë të Foltores, kanë tagër të bëjnë propozime për shkarkimin e Alibeajt ngaqë janë anëtarë të grupit, Saliu i “ra qemanes” kot më 30 prill e vazhdon t’i bjerë, mbasi nuk është anëtar i grupit të PD.
Ky harbim i Saliut për ta uzurpuar dhe zyrtarisht PD-në pa përfunduar procesi gjyqësor në Apel, është shpejtim nga tmerri i përballjes me drejtësinë, që e ka çuar deri në atë shkallë degradimi psiko- fizik sa po bie nëpër tribuna./Pamfleti