150 familje të Thumanës kanë hyrë ditën e sotme në shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit dy vite më parë.
Në një organizim të zhvilluar sot në Thumanë, kryeministri Edi Rama tha se që prej momentit që ra tërmeti, ai ka ardhur mbi 40 herë në këtë zonë për t’u siguruar se çdo familje do të hynte në shtëpitë e reja.
“Besoj që në këto kohë që kur ra ajo fatkeqësi e madhe, duhet të kem ardhur në Thumanë mbi 40 herë dhe mezi e kam pritur këtë moment.
Në fund fare të gjitha banesat do të merrnin jetë me futjen e të gjitha familjeve në shtëpia. Për më tepër jam thellësisht i kënaqur që pasi kemi çelur dyert e apartamenteve këtu pranë për Krishtlindje, sot çelim dyert e shtëpive në një ditë të bekuar Bajrami.
Dua t’i uroj të gjithë besimtarëve myslimanë që të ketë qenë një muaj agjërimi të pranuar. Duke qenë se jam sëbashku me Elvisin i cili është një mik për mua, pasi na ka lidhur puna dhe kemi mundur ta njohim më nga afër njëri-tjetrin, duke qenë se Elvisi është hoxhë, dhe vajza që më prezantoi, dua të përfitoj nga rasti që ta nënvizoj këtu se pavarësisht jam i dhënë më shumë respekt ndaj feve, dhe pavarësisht se nuk jam as hoxhë as prift, nuk më vjen mirë kur dikush ngatërron gjërat që nuk duhen ngatërruar. Ngatërron atë që feja është për çdo njeri individualisht.
Shkenca ka përparuar në mënyrë marramendëse por nuk e ka bërë fenë më pak të rëndësishme në jetën e njerëzve. Feja nuk është më pak e rëndësishme për njeriun, pavarësisht përparimit teknologjik. Dua t’ju them të gjithëve, se besojmë ose jo në zot, është krejtësisht individuale.
Disa besojnë përmes institucioneve, disa të tjerë në mënyra të tjera. Ashtu sikurse islami ka një porosi të dobishme për të gjithë. Porosinë që vjen përmes lajmëtarit të Zotit dhe jo Zotit vetë. Paqja e Zotit qoftë me të. Tek ajo pjesë e rrugës tonë, e përjetimeve tona. Kur nuk shpjegojmë diçka, ne fillojmë një bisedë brenda nesh me një përtej nesh. Nuk ka gjë më të dëmshme se sa përbuzja për besimin e të tjerëve mes nesh” – tha Rama.