Shenjë e mirë, por një hap mbrapa për zgjerimin e Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor. Kështu e ka përshkruar samitin e Sofjes, zv.presidentja bullgare, Iliana Iotova e cila është prononcuar për këtë zhvillim gjatë një vizite në Çeki.
Sipas saj fakti që Samiti mbahet në Sofje, 15 vjet pas Samitit të Selanikut, provon se vëmendja ndaj Ballkanit vazhdon, por nuk është shenjë e mirë sipas saj që dokumenti final u firmos vetëm nga përfaqësuesit e shteteve anëtare. Përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor vetëm mbështetën dokumentin, një shenjë e një trajtimi si prej dorës së dytë.
Iotova e ka cilësuar po ashtu shenjë jo të mirë faktin që në dokument fjala “Zgjerim” u zëvendësua me “Partneritet”, një ndryshim jo i vogël ky në raport me dokumentin e publikuar dy muaj më parë nga institucionet e BE-së.
Sipas saj edhe mospërfshirja e projekteve në dokument, si ai për Korridorin VIII, përbën sinjal jot ë mirë, por duhet thënë se dokumenti integron Korridorin Blu dhe autostradën Nish-Prishtinë.
Samiti i radhës mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor pritet të mbahet në Kroaci pas dy vjetësh, në një përpjekje që synon të formalizojë dialogun e nivelit të lartë me Ballkanin Perëndimor, një rajon që mbetet xhepi i paintegruar gjeopolitik i Europës.