Kreshnik Spahiu në një lidhje live për emisionin “Top Talk” komentoi marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe ish kreut të PD-së, Sali Berisha.
Sipas tij Rama dhe Berisha kanë një pakt të heshtur, e cila ka ndikuar në mosprocedimin penal dhe mos arrestimin e Berishës, duke theksuar se marrëveshjet jo gjithmonë janë të shkruara nga liderët politikë.
“PD-ja e ka 110 % betejën me SHBA-në dhe jo vetëm që nuk ka një betejë apo luftë me Edi Ramën por unë personalisht kam qenë dhe do t’i mbetem mendimit që garancia e vetme e mosprocedimit penal, i mos arrestimit të Berishës i mbetet pushtetit dhe Edi Ramës”, tha Spahiu.
Bazuar në këtë çështje ai komentoi edhe për sistemet e drejtësisë në Shqipëri.
Spahiu theksoi se gjykatat ose prokuroritë në Shqipëri e kanë të pamundur të marrin hapa ligjorë drejt politikanëve të cilët janë në detyrë përderisa nuk ka mbështetje nga qeveria, por kjo mund të bëhet e mundur vetëm falë gjykatave të huaja.
“Nuk ka lindur Shqipëria një prokuror ose gjyqtarë që të arrestojë një president apo kryeministër në detyrë. Në qoftë se sot do të kishte vullnet politik nga qeveria që të arrestohej dhe të procedohej Berisha, do të ndodhte. Unë mendoj që qeveria nuk ka vullnet që të ndodhi. Vetëm një gjykatë e huaj mund të realizojë arrestimin e presidentëve apo kryeministrave shqiptarë”, tha ai.