Më në fund, megjithëse dihej prej disa ditëve, një gazetar, i cili tha se punonte si investigativ prej 16 viteve, Jetmir Olldashi, mori përsipër përgjegjësinë dhe autorësinë e përgjimit të vëllait të ministrit Xhafa me Bashkëpunëtorin X.
Bedri Islami
Ai, gazetari, pasi bëri dëshminë e tij publike, disi të vonuar, pasi një ditë më parë kishte qenë në prokurori, pra kur petët kishin nisur të hiqeshin, i bëri thirrje kolegëve gazetarë, që, në rrezik të jetës së tij, ta mbronin atë dhe klientin bashkëpunëtorin X, të cilin e kishte gjetur pas një burimi në Vlorë. Vetëm me një telefonatë.
Të themi se ka ndodhur kështu. Të themi se në Vlorë hashashi shitej haptas, krejt lirisht dhe ai kishte gjetur vërtet një dëshmitar për investigimin e tij. Në punën e një gazetari kjo është diçka normale dhe e rrezikshme njëkohësisht. E rrezikshme për njeriun karrem, e rrezikshme për gazetarin. Por, në këtë profesion, do e marrësh përsipër edhe riskun. Gazetari Olldashi e ka marrë përsipër këtë risk dhe, të jetë i bindur se shumë shpejt, marrja e këtij risku, do të bëjë më të njohur se 16 vite eksperiencë.
Sipas bashkëpunëtorit X, ky përgjim ka ndodhur “andej nga shtatori”, do të thotë po bëhen 9 muaj që kur ka ndodhur, ose si tha më pas, “andej nga fundi i vitit 2017”, që do të thotë, më e pakta, 6 muaj. Që prej asaj kohe bashkëpunëtori X ka qëndruar, si thonë “i fjetur“, megjithëse është “zgjuar“ kur ka qenë fjala për protestat e biznesmenëve pëdëistë. Kjo, as nuk e lehtëson e as nuk e rëndon çështjen. Kjo vetëm krijon atë Trekëndëshin e Bermudës, që e përmendi në një kontekst tjetër edhe gazetari Zheji, mes gazetarit Olldashi në Tiranë – Bashkëpunëtorit X në Vlorë dhe Salianjit në PD.
Që kur ka përfunduar ky investigim, i cili ka vetëm fazën e parë të përgjimeve, nuk është bërë asnjë hap tjetër nga Jetmir Olldashi; pra nuk e dimë nëse ka një regjistrim tjetër të bashkëpunëtorit X, me, ta zëmë Ermalin, që ky i fundit e quan shef i kufirit, me shefin tjetër të policisë, sepse kjo do të ishte edhe më e saktësueshme, do të ishte provë e qëndrueshme e përfshirjes së shtetit në trafikun e drogës. Nuk e dimë nëse ka ndonjë përgjim tjetër të asaj dite kur gomonia do të nisej drejt Italisë dhe u ndalua për shkak të “7 a 8 ballëve të detit”. Të dy këto përgjime do të ishin të rëndësishme, e po ashtu, edhe përgjimi në pazarin e drogës, sepse 20 kg hashash nuk i gjetën në tezgat e merkatos së Vlorës apo të Tragjasit. Vendosja e pajisjes së përgjimit në trupin e bashkëpunëtorit ka qenë një praktikë e njohur dhe mund të ishte bërë krejt normalisht. Vjen një kohë që duhet saktësuar.
Tani, besoj se secili prej nesh, i lejon vetes të quhem koleg me Olldashin, në fakt më tremb për të ardhem e tij ky mbiemër dhe këtë do e them në fund, duhet të ketë dëshmi të sakta për blerjen e 20 kg hashash, sepse , si thotë vetë “u nisëm drejt Tragjasit“, duhet të ketë dëshmi të qartë se si u siguruan 20 apo 25 mijë euro për të blerë hashashin që thotë bashkëpunëtori X, çfarë është bërë më tej me këtë sasi hashashi…jo për të dënuar atë, por për të patur provë të qartë se investigimi ka qenë i plotë, i saktë dhe nuk është ngritur në një përgjim ambiental, si deklaroi në fillim PD-ja, ose më saktë treshja e njohur në këtë rast.
Gazetari Olldashi është në të drejtën e tij, gjithë ditën e gjithë natën, të jetë pasues i një force politike, qoftë edhe i PD-së, është në të drejtën e tij të mendojë se kjo forcë politike po i bën luftë të fortë trafikimit dhe në këtë luftë, ai që shquhet është pikërisht Salianji. Gjithsecili nga ne, pavarësisht se mund të fshihemi pas paanësisë, në fakt anojmë, ose majtas, ose djathtas, ose në një qendër që nuk ekziston. Pra, nëse ai ka shkuar tek PD për të bërë vazhdimin e investigimit të tij nuk është as faj e as mëkat, por, si kolegë, do të kishte qenë mirë të dinim se kur është zhvilluar ky takim me Salianjin, ku është përpunuar materiali, në cilën studio, ku po vazhdon përpunimi i tij, pasi, i tha ai, do të ketë edhe një pjesë tjetër.
I gjithë materiali i përgjuar është në prokurori apo ende sillet në zyrat e PD-së, apo më saktë në xhepat e Salianjit.
Do të kishte qenë më i besuar nëse do të kishte saktësuar gjërat në një studio televizive. Me sa mësova, ai është pjesë e emisionit të zotit Artur Çani, i cili, sa e kam njohur, nuk është as njeri i frikës, as nuk i takon së majtës, as nuk ka droje të thellojë gjërat dhe të marrë përsipër përgjegjësinë e tij. Por, sidoqoftë, kjo është zgjidhje e zotit Olldashi dhe askush nuk ka të drejtë t’i thotë, pse aty, pse pikërisht në PD, pse pikërisht me Salianjin? Aty është ndjerë mirë, aty ka qëndruar.
Dëshmia e hedhur në treg nga gazetari investigativ duke marrë autorsinë, i lutem të më ndjejë për dyshimin tim, më shumë se sa dhënia e një fakti që dihej, pasi nuk ishte më e fshehtë, është një alibi për të tjerët, por që dikë dikë, nëse do të saktsohet se është montim, por edhe jo i tillë, mund ta fundosë thellë e më thellë.
Tani është koha që të saktësohet një herë e mirë: kush është organizatori?
Zoti Berisha, në natën e parë deklaroi se “vëllain e Xhafës e kemi përgjuar me kujdes, por nuk e nxjerrim dëshmitarin, se e vrasin“. Më tej Berisha, po natën e parë të euforisë, tha se “Kush është përsoni X, personi X vinte nga Italia“. Në fakt gazetari Olldashi e gjeti me një telefonatë në Vlorë.
Më tej, bashkëpunëtori X deklaroi se “nuk di gjë fare për përgjimin“. Shtoi se edhe mund ta ketë bërë vetë Agroni. Si të thuash, kërkoi të dalë jashtë loje, megjithëse harron shpejt e më pas thotë se ia bëri në hak në një pakete cigare.
Tani gazetari dëshmon se e ka bërë ai, duke qenë në distancë dhe duke i vënë në trup një mjet përgjues dëshmitarit X. Të cilin ia ka marrë sapo ka mbaruar biseda. Që do të thotë se bashkëpunëtori X e dinte se kush e ka bërë përgjimin, duke qenë pjesë e vetdijshme e tij. Pse gënjen kaq haptas ai? Mos ishte kaq sylesh sa që të mos dijë se çfarë bëhet në trupin e tij? Apo ende nuk kanë rënë në një mendje?
Tani, gjithsecili që do të mbrojë gazetarin investigativ, ka të drejtën të pyesë: kush e bërë këtë përgjim, kësaj radhe nga largësia: “Babalja, PD-ja,si thotë fillimisht Berisha, vetë Agroni, si deklaroi dëshmitari, apo gazetari?
Nëse gazetari Olldashi deklaroi se “pasi nuk gjeti derë tjetër hapur, ai shkoi tek PD-ja“, përse Berisha deklaroi se vëllain e Xhafës e kemi përgjuar me kujdes.
Nëse gazetari Olldashi deklaron se mjetin e përgjimit e kishte vënë në trupin e dëshmitarit X, atëherë pse ky i fundit thotë se nuk di gjë se kush e ka bërë përgjimin.
Më saktë, tani ka ardhur koha që përfundimisht të bëhen dy pyetje themelore: Ka pasur përgjim apo, si mund të saktësohet, nga një bisedë telefonike janë transkriptuar e shpërvjedhur fjalë për të ndërtuar një skenë të denjë për mafian politike? Dhe së dyti, cilin po përpiqet të mveshë me faj opozita, pasi, të gjitha të dhënat e deritashme janë aq kontradiktore dhe, në rast shantazhi, me plot pasoja, sa që po shkohet drejt një viktime, për të cilin nesër do të protestojnë, por duke e ditur se kush ishte fajtori i vërtetë.
Do të dëshiroja që kolegu Olldashi të ishte viktimë, në rast se jemi pas një shantazhi politik, pikërisht në një kohë të veçantë; ose të bëhet njeriu i ditës nëse të gjitha janë të sakta. Por, zakonisht, njeriu që sjell faktet e vërteta, edhe kur është gazetar investigativ, nuk bën thirrje për t’u ngritur në këmbë kolegët e tij. Të paktën, nga gazetari investigativ, Artan Hoxha, edhe kur është kërcënuar haptas nga shefa qeverie e ish shefa qeverie, nuk e kam dëgjuar.
Nëse më bëri përshtypje mbiemri Olldashi, kjo lidhet me një ngjarje të mëhershme, të cilën nuk ia uroj askujt, por do e këshilloja të mos udhëtonte në ditë me shi, pasi precedenti ekziston. Do i thoja edhe shtetit, që deri të saktësohen gjërat, të bëjë kujdes me jetën e kolegut gazetar. Të jetë i sigurtë, me jetë normale, i pa trazuar dhe që të mos ketë nevojë të marrë rrugët e mërgimit, në kërkim të një strehimi politik, nga ishte nisur bashkëpunëtori X.
Nëse del gjithçka e vërtetë, pavarësisht dyshimeve dhe bindjes sime, do e kisha kënaqësi ta takoja një ditë.
Nëse del e gjitha montazh, e para gjë që do i ndodhë do të jetë thënia e zakonshme e ish shefit të qeverisë: ai nuk e thërrasë më Jetmir, si e ka emrin, por Jetzi, si e ka bërë traditë të nëpërkëmbë jetën e njerëzve.
Jam me ty Olldash, nëse je i vërtetë, megjithëse prej ditësh e di të vërtetën; por jam për dënimin tënd nëse ke mashtruar dhe ke provokuar, qoftë edhe si mashë zjarri një rrënim të shtetit.
Merita ose ndëshkimi të takojnë vetëm ty. More përsipër një risk të madh, krejt i vetëm, duke lënë pas vetes shumë dyshime dhe duke krijuar një mendim se, pas teje, me ose pa dijeninë tënde, qëndrojnë të tjerë, të cilët, sapo të mendojnë se gështenjat janë pjekur, do hedhin, bashkë me mashën, edhe hirin e mbetur.
Të jesh i bindur, se, ata që të futën në lojë, nëse jemi pas një loje të rrezikshme, shumë shpejt do të lajnë duart. Traditë e vjetër e politikës.