Nga Les Nemethy, CEO, Euro-Phoenix Financial Advisors Ltd., ish-bankier në Bankën Botërore
Sanksionet e fundit kundër Rusisë shkaktuan një rënie të papritur të rublës, nga 81 rubla për dollar, në 150 rubla për dollar.
Ndonëse pushtimi i Ukrainës shkoi keq për rusët dhe sanksionet bënë shumë dëm, nga 7 marsi deri më 3 prill 2022, rubla u rikthye në nivelin 85 rubla për dollar. Çfarë ndodhi?
Është shumë e thjeshtë: Rusia deklaroi se duke filluar nga 1 prilli, dërgesat e gazit në vendet “jomiqësore” duhet të paguhen në rubla, ose në ar. Banka qendrore ruse gjithashtu ra dakord që të blinte ar me 5000 rubla për gram, duke e lidhur në mënyrë efektive rublën, si me arin, edhe me naftën.
Rusët arritën të forconin monedhën e tyre duke
(a) rritur kërkesën për rubla (p.sh. importuesit e gazit duhej të blinin rubla për të blerë gaz) dhe
(b) duke e lidhur atë me arin. Rusia sapo njoftoi se ky rregull do të jetë prototip edhe për mallra të tjerë në të ardhmen (p.sh. grurë, plehra kimike, etj.) Kushtet e tregtisë gjithashtu u zhvendosën masivisht në avantazh të Rusisë, (p.sh. u rritën çmimet e energjisë dhe mallrave të lidhura me ushqimin, që janë eksportet kryesore të Rusisë).
Në këtë luftë financiare, çdo palë luajti duke shfrytëzuar pikën e saj të fortë – SHBA-ja me kontrollin e sistemit të pagesave në dollarë amerikanë, rusët me fuqinë e tyre në energji (duke qenë eksportuesi më i madh i gazit në botë dhe eksportuesi i tretë më i madh i naftës).
Zoltan Pozsar, analist i njohur në Credit Suisse dhe ish-zyrtar në Departamentin e Thesarit të SHBA-së, deklaroi se jemi duke hyrë në një rend të ri monetar, të cilin ai e quan Bretton Woods III: “Mallrat janë burime reale… dhe pabarazia e burimeve nuk mund të zgjidhet nëpërmjet lehtësimit sasior… ju mund të shtypni para, por jo naftë për t’u ngrohur, apo grurë për të ngrënë”.
Sipas Pozsar, Bretton Woods I ishte marrëveshja pas Luftës së Dytë Botërore që krijoi një dollar amerikan të këmbyeshëm me ar, si monedha rezervë globale. Bretton Woods II filloi në vitin 1971, kur Nixon pezulloi “përkohësisht” këmbimin e dollarit amerikan në ar.
“Tani, ne po dëshmojmë lindjen e Bretton Woods III – një rend i ri botëror monetar, i përqendruar në monedhat e bazuara në mallra në Lindje, që ndoshta do të dobësojë sistemin euro-dollar dhe do të kontribuojë në forcat inflacioniste në Perëndim… Më parë, Perëndimi mund të thoshte thjesht: “monedha jonë, problemi juaj”. Tani, Lindja mund të thotë: “malli ynë, problemi juaj”.
Pozsar beson se epoka e Bretton Woods III do të karakterizohet nga një inflacion më i lartë dhe norma më të larta interesi. Qeveritë do të zëvendësojnë rezervat në valutë të huaj me rezerva të mallrave. Kërkesa për dollarë do të jetë më e ulët, pasi më pak dollarë do të mbahen si rezervë dhe do të kryhet më shumë tregti në monedha të tjera.
Dy grafikët e mëposhtëm ilustrojnë rënien e përdorimit të dollarit amerikan në vitet e kaluara, si pjesë e Monedhave të Rezervës Globale, dhe si pjesë e monedhave të përdorura në tregtinë ndërkombëtare: