Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, të cilit iu bë atentat në autostradën Tiranë-Durrës në vitin 2019, ka dalë para vetingut. Prokurori Ndoja, i cili ka thënë se ai ka qenë shënjestra e atentatit të 1 nëntorit 2019 ku mbeti i plagosur, pritet të mësojë fatin e karrierës së tij.
Në seancën e djeshme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) është konstatuar se ka të dhëna se Ndoja ka kontakte me eksponentë të krimit të organizuar, që janë shumë aktivë jashtë Shqipërisë. Prokurori Ndoja ka mohuar gjetjet e ONM duke thënë se nuk është takuar dhe nuk ka kontaktuar asnjëherë me persona të përfshirë në krimin e organizuar, por nëse gjendet një fakt për këtë, thotë se largohet vetë nga sistemi i drejtësisë. Sipas DSIK dyshohet se Ndoja ka favorizuar persona me precedent penal.
Në vitin 2009 dhe 2010 ka rezultuar se ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion, duke caktuar një trupe gjykuese për një konflikt prone. Në seancë është përmendur edhe atentati që i është bërë në vitin 2019 dhe fakti se ai ka qenë në prani të personave të njohur për institucionet ligjzbatuese.
Ndoja u përplas me përfaqësuesin e ONM, Theo Jacobs
Në seancën e KPK, pati përplasje mes prokurorit Arjan Ndoja dhe përfaqësuesit të ONM, Theo Jacobs, i cili tha se shqiptarët e dinë se me kë shoqërohet, duke e akuzuar se del xhiro me personat e gabuar. Për këtë arsye tha se nuk do të donte ta kishte në skuadër duke i përmendur edhe të ardhurat. Jacobs, tha se është shumë i habitur se si Ndoja teksa deklaronte 250 mijë euro pasuri nga puna si avokat në dy vite, kthehet për të ‘luftuar’ krimin.
Ai iu kundërpërgjigj duke thënë se “plotëson të gjitha kriteret për të qenë prokuror dhe se do të donte që vëzhguesi mos të merrej me fjalë kafenesh, por të pyeste njerëzit sepse ata e njohin nga afër”. Nga ana e tij Ndoja tha se përfaqësuesi i ONM po e paragjykonte për pasurinë që ka dhe nuk ka fshehur asnjë pronë. Ai e akuzoi Jacobs se me të njëjtin perceptim ka pretenduar lidhje me kriminelë për 60% të subjekteve që kanë dalë në veting. Ndërkohë që Ndoja i tha se nga kjo sjellje e personave si Jacobs drejtësia sot është më keq.
Ndoja i mbijetoi atentatit në 2019
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, aktualisht shofer i prokurorit.
Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit,
Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Landi Muharremi u bë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit duke i sekuestruar makinën e blinduar, e cila kishte ardhur nga veprimtari e jashtëligjshme.