Ish-kreu Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu, ka deklaruar se ish-kryeministri akuzohet për vepra penale në Shqipëri. Në një prononcim për gazetën “SOT” ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e futën në listë ish-kryeministrin Sali Berisha për sekuestrim asetesh, sepse sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjedhur taktikë tjetër për çmontimin e Sali Berishës.
“Sali Berisha akuzohet për vepra penale te kryera në Shqipëri dhe jo jashtë saj. Madje edhe Departamenti Thesarit që nxori sekuestro për Ylli Ndroqin dhe Aqif Rakipin nuk e futi në listë Berishën për sekuestrim asetesh. SHBA ka zgjedhur taktikë tjetër për çmontimin e Sali Berishës.
Deri në 2025 do kemi shpërbërje të Partisë Demokratike. Amerikanët janë të shqetësuar për frymën agresive anti-amerikane në Shqipëri pasi deri dje e konsideronin shtetin më pro amerikan në Europë. Për shkak të Berishës dhe militantëve të tij, sot është fundosi miti se Shqipëria është ishull pro amerikan në Mesdhe”, deklaroi Spahiu për gazetën “SOT”.
Ndër të tjera, ai deklaroi se vendimi për shpalljen “non grata” nuk ishte për Berishën, por sipas tij ishte për Berishizmin. Ai tha, se nëse Berisha merr drejtimin e selisë blu PD do përjashtohet nga Partitë Popullore.“Nuk e gjen dot sot një forcë politike të jetë kaq antiamerikane se sa PD. Pra vendimi për shpalljen “non grata” nuk ishte për Berishën por për Berishizimin, pra për të shkatërruar Berishizmin dhe këtë forcë politike e cila përfundimisht do të përgjysmohet.
Kush do që ta marri Sali Berisha apo Basha kjo parti do të shkojë drejt fundosjes. SHBA i është dashur të eliminojnë Berishizmin dhe jo Berishën si individ dhe duan që Basha ta vrasë atë politikisht. Amerikanët kanë përgatitur një plan B, nëse Berisha merr PD, ato kanë planin e izolimit total të PD, përjashtimi nga të gjitha partitë europiane”, u shpreh ai për gazetën “SOT”.
Spahiu: Peticioni është një ngjarje e rëndë
Ndërkohë, më herët ish- kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu, teksa ka folur për peticionin që zhvillohet online kundër ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, e cilësoi atë si një ngjarje të rëndë. Ai deklaroi, se as në Moskë nuk ka protesta kundër ambasadorit amerikan.
“Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur sot në Shqipëri. Qindra qytetarë po firmosin një peticion për largimin e ambasadores fuqiplotë të SHBA në Shqipëri, shkëlqesisë së saj Yuri Kim. As në Moskë nuk ka protesta kundër ambasadorit amerikan. As në Hungari nuk ka peticion kundër ambasadorit të SHBA. As në Kinë nuk ka një organizim kaq agresiv kundër diplomatëve amerikanë.
Vladimir Putin, Viktor Orban, Xi Jipning apo Kim Jong janë shumë të kujdesshëm në aksionet apo lëvizjet kundër ambasadorëve amerikanë. Të katërt nuk krahasohen me agresivitetin e Sali Berishës dhe partisë së tij kundër
Ambasadës së SHBA. Po pse pikërisht tani ky sulm masiv për largimin e Yuri Kim kur dihet fare mirë që edhe sikur të largohet, ambasadori tjetër që do dekretohet nga presidenti Biden dhe sekretari Blinken do ketë të njëjtin qëndrim diplomatik sikurse Yuri Kim?”, tha ai.