Komisioni i Vetingut ka njoftuar se nesër do të shpallë vendimin për gjyqtaren e Tiranës, Fida Osmanin, e cila i bën gjyqet në avion dhe kur ka qenë notere, ishte vetë edhe notere, edhe palë shitëse.
Gjatë prezantimit të dosjes hetimore në seancën dëgjimore, Fida Osmani rezultoi se nuk justifikonte pasurinë, kishte porositur 3 shtëpi tek një kompani që i shqyrtonte çështjet, kishte mashtruar me deklarimin e pasurisë, kishte fshehur një zyrë dhe transaksione të bashkëshortit etj.
Nga dosja e Vetingut, u zbuluar se burri Kujtim Osmani dhe i biri Endrit Osmani janë përfshirë në pastrim parash dhe transaksione të padeklaruara.
Pra, janë të gjitha kushtet, faktet dhe rrethanat që nesër Fida Osmani të shkarkohet nga detyra dhe mos ta kapë më me dorë çekiçin e drejtësisë. Madje, jo vetëm të shkarkohet, por KPK-ja duhet të referojë në Prokurori dosjen e Fida Osmanit, pasi përmban elemente të shumta penale.
E kundërta do të ishte një skandal që do të komprometonte përfundimisht Komisionin e Vetingut. Nisur nga rezultatet e hetimit, Komisioni i Vetingut praktikisht nuk ka asnjë rrugë tjetër nesër, përveç shkarkimit. Çdo vendim tjetër, si shtyrje e vendimmarrjes, riçelje të hetimit, hetimit për dy kriteret e tjera apo konfirmim në detyrë, është një vendim i diktuar nga korrupsioni dhe ndërhyrjet e paligjshme.
Në raste të tilla, përmbysja e një vendimi shkarkimi, kushton mbi 600 mijë euro, pasi komisionerët që firmosin jo vetëm hedhin në erë Vetingun, por rrezikojnë të shkojnë tek Enkelejda Hoxha. Komisionerët janë nën monitorim.
Dosja e Fida Osmanit
Për Komisionin e Vetingut ka mjaftuar vetëm kriteri i pasurisë, për të arritur në një konkluzion nëse gjyqtarja e Tiranës, Fida Osmani, duhet apo jo të vijojë të japë drejtësi. Fida Osmani u paraqit dje në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për t’u njohur me rezultatet e hetimit, ndërsa vendimi për shkarkimin ose konfirmimin e saj në detyrë do të merret me 27 prill 2022. Trupa gjykuese përbëhej nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Olsi Komici. Avokatja e gjyqtares Osmani ishte Antoneta Sevdari, më parë prokurore dhe anëtare e KLP-së, por që u shkarkua nga detyra për probleme me pasurinë.
Sipas dosjes hetimore, gjyqtarja Fida Osmani, në konflikt interesi, kishte porositur tre apartamente tek një kompani ndërtimi, kompani të cilës gjyqtarja i shqyrtonte çështje të ndryshme në Gjykatën e Tiranës. Konkretisht, Fida Osmani i ka shqyrtuar kompanisë dy çështje në vitin 2002, një në vitin 2003 dhe një në vitin 2005.
Jo vetëm kaq. Lidhjet e Fida Osmanit me këtë kompani janë më të thella. Kompania rezulton se ka hyrë dorëzanë që gjyqtarja të marrë kredi për të mbuluar blerjen e njërit nga apartamentet.
Apartamentin e parë e ka porositur në vitin 2001. Por, ky transaksion nuk rezulton të jetë realizuar. Por, nga ana tjetër, trupa gjykuese thotë se kontratat e porositjes së apartamentit nuk është anuluar.
Apartamentin e dytë e ka porositur po tek e njëjta kompani në vitin 2002, bashkëshorti i gjyqtares, Kujtim Osmani, i cili më parë ka qenë sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese. Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 147 m2 në Tiranë, me vlerë rreth 80 mijë USD.
Apartamentin e tretë e ka porositur djali i gjyqtares Fida Osmani, në vitin 2004, me sipërfaqe 80 m2, në Durrës dhe me vlerë 32 mijë euro. Edhe ky apartament është porositur tek e njëjta kompani, të cilës gjyqtarja Fida Osmani i shqyrtonte çështje gjyqësore.
“Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit”, pohoi relatorja Pine, duke komentuar këto lëvizje në pasurinë e gjyqtares. Gjyqtarja Osmani tha se kishte dhënë dorëheqjen nga gjykimi i çështjeve ku palë në proces ishte kompania, por dorëheqja e saj nuk ishte pranuar.
Nuk justifikohet pasuria me burime të ligjshme
Krahas konfliktit të interesit, Komisioni i Vetingut ka konstatuar se gjyqtarja Fida Osmani nuk justifikon me burime të ligjshme të ardhurash apartamentin 147 m2 të blerë në vitin 2002, në Tiranë, me vlerë rreth 80 mijë euro.
Për apartamentin e parë, atë të vitit 2001, për të cilin gjyqtarja pretendoi se e ka revoktuar kontratën, Komisioni i Vetingut konstatoi se gjyqtarja ka përfituar një kredi me kushte lehtësuese, në mënyrë abuzive.
“Hartimi dhe nënshkrimi i kontratave të ndryshme është bërë për përfitimin e kredisë. Sjellja e gjyqtares Osmani në hartimin e kontratave të ndryshme është në cenim të besimit të publikut tek drejtësia”, pohoi relatorja Xhensila Pine.
Por, avokatja e gjyqtares tha se kontrata e 2001-it ishte revokuar dhe se apartamenti i porositur prej subjektit rezultonte të ishte blerë nga një person tjetër.
Nuk deklaron zyrën, fshihet një vilë?
Në vitin 2007, Fida Osmani ka vlerë një zyrë 43 m2 në Tiranë, të cilën nuk e ka deklaruar në ILDKP, siç edhe e detyron ligji.
Zyra ka kushtuar mbi 52 mijë euro. Këtë zyrë, gjyqtarja e ka deklaruar në vitin 2010, ndërkohë që bashkëshorti i saj paguante energjinë elektrike që në vitin 2007.
Komisioni ngriti dyshime për fshehjen e një vile të Mali i Robit nga bashkëshorti i gjyqtares Fida Osmani, Kujtim Osmani.
Por, avokatja Sevdari i kundërshtoi këto gjetje, duke pohuar se personi vërtetë e kishte emrin Kujtim Osmani, por ishte një person tjetër, duke iu referuar gjeneraliteteve.
Komisioni i Vetingut ka zbuluar se bashkëshorti i gjyqtares Kujtim Osmani ka bërë edhe dy tranferta ndaj dy kompanive në vlera 17 mijë euro dhe tjetra 19 mijë USD. Këto tranferta nuk janë deklaruar nga gjyqtarja Osmani.
Komisioni konstatoi gjithashtu se djali i gjyqtares nuk ka pasur burime të ligjshme parash për të blerë një makinë me vlerë rreth 5 mijë USD, në vitin 2005. Këta makinë e ka shitur rreth 17 mijë USD dy vite më vonë, në vitin 2007.
Vetë notere dhe vetë palë
Në drejtorinë shqiptare gjithçka mund të ndodhë. Deri në vitin 1999, Fida Osmani ka punuar si notere në Peshkopi. Në vitin 1998, Fida Osmani ka shitur një apartament në Peshkopi me vlerë 2 milionë lekë ose rreth 20 mijë USD. Komisioni i Vetingut ka zbuluar se kontrata noteriale për shitjen e apartamentit në Dibër ka rezultuar se është hartuar dhe nënshkruar nga vetë Fida Osmani, në cilësinë e noteres, veprim ky në kundërshtim me ligjin.
Gjyqe në avion!
Komisioni i Vetingut nuk analizoi kriterin profesional të gjyqtares Fida Osmani. Megjithatë, gjyqtarja Osmani ka qenë objekt i procedimit disiplinor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 2012. Në 2 prill të vitit 2012, Ministria e Drejtësisë i kërkonte Këshillit të Latë të Drejtësisë të niste procedimin disiplinor për gjyqtaren Fida Osmani, pasi Inspektorati i KLD-së, kishte konstatuar se gjyqtarja zhvillonte gjyqe dhe merrte vendime pa qenë fare në Shqipëri. Eduard Halimi, në atë kohë ministër i Drejtësisë kërkonte masë disiplinore ‘vërejtje me paralajmërim’ për gjyqtaren Fida Osmani, pasi në momentin kur pretendonte në letra se kishte zhvilluar seancë gjyqësore, në fakt ishte në avion.
Në seancën e 14 shtatorit 2012, Eduard Halimi dhe Fida Osmani përballen në mbledhje e KLD-së, e zëvendësuar që nga viti 2008 me KLGJ-në. Gjyqtarja, ndonëse pranon gjyqet në avion, thotë se ‘kush punon edhe gabon’.
Në fjalën e tij, Eduard Halimi shprehej se gjyqtarja duhet të thotë ‘faleminderit që nuk po më shkarkoni’, pasi ka zhvilluar 7 seanca gjyqësore pa qenë fare në Shqipëri dhe se ka marrë edhe tre vendime. Halimi shprehej se rasti është për ndjekje penale. Gjatë diskutimeve, Halimi flet edhe për një detaj, ku gjyqtarja thotë se ia ka dhënë pasaportën bashkëshortit për ta vulosur në Rinas, ndërsa vetë ishte në sallën e gjyqit! / Pamfleti