Historiani Arben Llalla theksoi për INA se propozimi i emrit në gjuhën shqipe “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, nuk shpreh karakterin shumëetnikë të Maqedonisë, por tregon shtetin unitar.
Sipas tij, “Ilindeni” (Dita Ilisë) është një emër i hidhur për popullsinë shqiptare, pasi në vitin 1903 kryengritësit maqedonas nën këtë emër masakruan shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë.
“Mendoj se ky emër është shumë i rrezikshëm duke patur parasysh ngjarjet historike në lidhje me kryengritjen e Ilindenit të 1903 që kishte si synim kufirin e saj deri në Selanik dhe në Korçë. Emri Ilindeni ka një kujtesë të hidhur tek popullsia shqiptare pasi kryengritësit e Ilindenit masakruan shqiptarët mysliman dhe ortodoksë. Ishte pikërisht kryengritja e Ilindenit të 1903 që grekët dhe serbët të kryenin masakra edhe mbi popullsinë shqiptare të Maqedonisë Gjeografike”.
Sipas tij, emri Ilindenase është më afër historisë bullgare dhe shpreh irredentizmit e tyre ndaj fqinjëve grek, serb dhe shqiptar. “Mendoj se nuk do gjejë përkrahje emri i propozuar Republika Ilindenase e Maqedonisë”, theksoi historiani dhe publicist Llalla.