Mbushja e dosjes së Mehmet Shehut me “fakte” se ai ishte poliagjent, në shërbim të anglezëve, amerikanëve, jugosllavëve, rusëve etj., u kthye në një nga qëllimet kryesore pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në dhjetor të vitit 1981.
Vetë Enver Hoxha e më pas bashkëshortja, Nexhmija, citonin copa dokumentesh, deponimesh të shkëputura nga konteksti, për të përligjur akuzat e tyre mbi agjenturën e ish-Kryeministrit më jetëgjatë në Shqipëri. Në librin e tij “Kush e vrau Mehmet Shehun”, ish-drejtori i Zbulimit për marrëdhëniet me jashtë, Perlat Çaushi i rikthehet rastit të Mehmet Shehun dhe hedh poshtë gjithë pretendimet e çiftit Hoxha. Copëzat e shkëputura prej tyre dhe të përfshira në vepra të ndryshme, ai i vendos në kontekstin origjinal, duke nxjerrë manipulimin që ata bënin me dokumentet dhe faktet.
E tillë është edhe një letër që Llazar Papapostoli (Llary Post), në shërbim të OSS (Office of Strategic Services), i dërgon Hasan Reçit. Mes të tjerash, ai përmend edhe emrin e Mehmet Shehut, që sipas tij mbante pseudonimin “Mjekra”. Si Llazar Papapostoli dhe Hasan Reçi u shpallën armiq nga regjimi komunist dhe patën funde tragjike dhe përmendja e emrit të Mehmet Shehut në letërkëmbimin e tyre e bën “fajtor” këtë të fundit. Çfarë përmbante letra e të dërguarit në Shqipëri nga OSS?
MJEKRA – NJË PSEUDONIM MË SHUMË
Për të përforcuar akuzën që Kryeministri ynë kishte qenë edhe në shërbim të amerikanëve, Nexhmije Hoxha në librin e saj shkruan:
“Në një dokument origjinal të një agjenti të CIA-s rezulton që M. Shehu kishte edhe një pseudonim tjetër: MJEKRA. Hasan Reçi, i njohur si agjent i vjetër i shërbimeve sekrete amerikane, më 6 shkurt 1944, merr një letër nga agjenti i CIA-s amerikane me origjinë shqiptare, Llary Post, ku i shkruan:
‘Ua përsërita disa herë që ne duam fakte dhe fakte rreth çdo situate ose gjëje’. Dhe më poshtë vazhdon: ‘Mjekrës i thoni shumë të fala nga unë. A është e mundur të më çojë ndonjë raport mbi gjendjen dhe aktivitetin e tij?! Nuk më shkruan nëse e ke bashkuar. P.S. Këtë letër mund ta shohë dhe Mjekra”.
Këtë pasazh Nexhmije Hoxha e ka marr nga libri “Titistët”. Ndërsa në librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, Enver Hoxha shkurtimisht shkruan: “…Ende pa u çliruar Shqipëria, kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara njëfarë Llazar Papapostoli, me emrin e amerikanizuar Llary Post. Ky do të shërbente si këshilltar politik pranë misionit amerikan…”. Kush ishte Llary Post dhe si është e vërteta e kësaj letre?
Sipas deponimeve në hetuesi të vetë Larry Posty-t, merren shumë të dhëna për të. Llary Post është pseudonimi, ndërsa emri i tij është Llazar Papapostoli, nga Ziçishti i Korçës. Në vitin 1930 vazhdon Shkollën Teknike të Fultzit në Tiranë në të njëjtën kohë me Mehmet Shehun; në vitin 1937 emigron në Amerikë; vazhdon Universitetin Illinois në degën e shkencave politiko-shoqërore, ku dhe diplomohet.
Në vitet 1942-‘43, punon si sekretar i shoqatës “Liria” në Nju-Jork. Në vitin 1943 rekrutohet nga OSS dhe dërgohet me shërbim pranë komandës së OSS, në Kajro. Prej andej niset me mision në Shqipëri për organizimin e rezistencës. Në Berat u paraqit në Komandën e Përgjithshme të Lëvizjes. Aty merr takim me Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Gaqo Progrin, Isuf Kambon, Sejfulla Malëshovën, Ymer Dishnicën, Velimir Stojniçin, që ishte kryetar i misionit jugosllav në Shqipëri e me plot të tjerë. Gjithmonë sipas deponimeve të tij, Enver Hoxha e dërgoi në Tiranë, për të ndjekur luftën për çlirimin e kryeqytetit, ku Posty mbërriti dy ditë para se ai të çlirohej.
Në Tiranë takohet me Mehmet Shehun dhe Dali Ndreun, të cilët e dërgojnë në Brigadën e 4-t. Pas çlirimit, punësohet nga amerikanët në UNRRA, organizmi i ndihmave amerikane të pasluftës. Duke bërë disa kapërcime të parëndësishme në jetëshkrimin e tij, vijmë në vitin 1946, kur Larri Post arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg, akuzuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste fashiste të grupit të monarkistëve, grup që kërkonte të rrëzonte qeverinë. Dhe si ndërlidhës i reaksionit të jashtëm, akuzohej se punonte në dëm të interesave të larta të atdheut.
I vihej në dukje pjesëmarrja në të gjitha mbledhjet dhe vendimet e dala nga kjo organizatë terroriste, për atentate kundër udhëheqësve të pushtetit e të popullit dhe sabotazhe në dëm të rindërtimit. Pas daljes nga burgu, internohet. Në vitin 1974, vdes.
Për të nxjerrë falsitetin e asaj që Enveri dhe Nexhmija thonë, se komandanti i Brigadës së Parë Sulmuese ishte dhe agjent i amerikanëve me pseudonimin “Mjekra”, paraprakisht po marr disa pasazhe të letrës që Larry Post i dërgonte Hasan Reçit, i cili mbante pseudonimin “Koçi”, letër ku përmendet dhe pseudonimi i Mehmetit, “Mjekra”.
6 shkurt 1944
I dashur Koçi Letrën tuaj, të cilën e prisja me padurim, e mora dhe u gëzova pa masë, si unë, ashtu dhe shokët tuaj. Gjyslykja më nxori mendsh gjatë kohës gjersa erdhi letra. Tani jemi të gjithë të kënaqur dhe urojmë që puna të vejë mbarë. Raporti ishte aq i pasur sa dhe prekës.
Ndoshta për ju ishte një gjë tepër e zorshme që të përkthenje skenën aktuale me shkrim. Realiteti është më therës se sa përshkrimi. Por ju siguroj, me gjithë sinqeritetin tim, se ju kuptoj n’atë mënyrë sikur të isha përbri teje dhe t’i shihja skenat e përgjakura me fshatarët e uritur, të zbathur dhe të zhveshur.
Meqenëse ju kuptoj dhe më kuptoni dhe meqenëse dëshiroj aq shumë sa dhe juve që t’u bëhet puna sa më shpejt dhe sa më mirë, sot u lutem të merrni parasysh disa udhëzime, të cilat mund t’i konsiderosh si të duash.
1. Do të mbani mend se ma përsërite disa herë që ne duam fakte dhe fakte rreth çdo situate ose gjëje. Vetëm me fakte mund të bëhet xheç. Ne kemi dalë në shesh të mbarojmë një punë serioze, që është aq në interesin tonë sa dhe në interes të popullit shqiptar dhe të gjithë popujve liridashës e jo të bëjmë lodra, duke injoruar faktet ose duke i shtrembëruar. Atëherë le të punojmë në bazë të fakteve. Ne na mungojnë shumë fakte, atëherë bëni çka është e mundur që të na afroni fakte. Lufta nuk fitohet vetëm me një copë pushkë në front.
Armiku duhet njohur mirë, duhet ditur ku është, ç’bën dhe si lufton, para se ta përballosh. Lufta s’është shaka dhe s’mund të themi “e provojmë një herë, pa në mos daltë ashtu siç shpresojmë ne, ahere përdorim mënyra të tjera”, është ba jeta e luftëtarit aq e pavleftë sa të sakrifikohet në lodra? Po n’atë mënyrë duhet të dimë dhe forcat mike, forcat që në të vërtetë duan të luftojnë kundra armikut të përbashkët. Duam të dimë ku janë, sa janë, ç’bëjnë, si mund të ndihmohen etj.
2. Qëllimi i kësaj lufte është i madh dhe mund të mblidhen rreth tij shumë elementë me interesa të dyta të ndryshme, përveç atyre që kanë vendosur të bashkëpunojnë me armikun. Dhe janë mbledhur.
Sot kemi Kombet e Bashkuara dhe forcat aleate luftuese, të cilat me gjithë që nuk gëzojnë njohje diplomatike, prapë njihen si forca luftuese de fakto, të cilat mund të kenë interesa të posaçme në vetvete, por që kanë një interes të përbashkët: shkatërrimin e nazifashistëve. Me qenë pra se qenka një luftë çlirimtare koalicioni, është imperativë që ne të gjejmë mënyrat më të përshtatshme të bashkëpunimit, për me mbrojt qëllimin kryesor. Një popull mund të preferojë të bashkëpunojë “ma me lezet” me njërin komb se sa me tjetrin.
Po interesi suprem e lyp që të shihet realiteti dhe të pranohet bashkëpunimi i të gjithëve, me zhyt poshtë mëritë ose dashuritë ekstreme që shkaktojnë mosmarrëveshjet. Aleatët kanë një program të përbashkët, veprojnë të bashkuar dhe njëri s’mund të bëjë më shumë se tjetri pa dëmtuar solidaritetin e nevojshëm të luftës së koalicionit. Është fare e vërtetë, se ne gëzojmë një simpati të posaçme në Shqipëri dhe presin më shumë prej nesh se sa prej të tjerëve. Fare bukur. Edhe ne i kemi në zemër dhe nga kjo gjë mund të shpresojmë të mira, por kurrë dëme. Ne do të bëjmë të pamundurën që të vëmë në vend simpatinë që ushqejmë. Por kurrë mos harroni që kjo luftë është një luftë koalicioni dhe asnjë parti s’mund të dalë jashtë marrëveshjeve, në mënyrë që të dëmtojë bashkimin e forcave të koalicionit. Shqipëria s’është lënë në mëshirën e kurrkujt. Secili komb liridashës është konsideruar si mik i aleatëve.
3. Faktet që po çon janë aq të vlefshme, sa s’mund ta besosh as ti vetë. Vazhdo në këtë mënyrë dhe duhet të jesh i sigurt që po i bën shërbimin më të madh çështjes. Porosi të posaçme:
a) Mos u kufizo vetëm në literaturën, trakte etj., partizane. Edhe njohja e armikut është e vlefshme.
b) Të lutem shumë, gjeje proklamatën e mbledhjes së Labinotit dhe ma ço sa më shpejt. Çdo informatë zyrtare ka vleftë të madhe. A është e mundur të bëhet një kopje fotografike e letrës së M. Frashërit? Po të jetë e mundur, bëje sa më shpejt.
4. Me majorin tonë, ju lutem të shkoni sa më mirë që të jetë e mundur. Ai s’ka asnjë interes në botë që të dëmtojë popullin shqiptar. Në rast se mund të duket si i paarsyeshëm, ajo gjë rrjedh vetëm se mund të jetë i keqinformuar. Atëherë detyra juaj është ta informoni me fakte.
Nga antagonizmat s’pritet që të dalë ndonjë gjë e frytshme. Shokëve Ali dhe Tozi u thoni të fala shumë nga mua dhe nga shokët. Edhe atje ku janë tani mund të bëjnë shërbime të mëdha. Dhe siguro krerët e Brigadave që je në kontakt, që të mos keni merak, se askush nuk ka për t’i ndarë si “bijtë e njerkës”. Mjekrës – Mehmet Shehut – i thoni shumë të fala nga unë. A është e mundur të më çojë ndonjë raport mbi gjendjen dhe aktivitetet e tij. Nuk më shkruan nëse e ke bashkuar! Hysni Kapon nuk e njoh, por s’ka të bëjë, i thoni të fala shumë. Luftëtarët janë për t’u nderuar dhe i nderoj. Për kunatollin e Abazit do të përpiqem – gjyslykja i hyri punës menjëherë.
Pse je aq i sigurt që s’kemi për të bërë gjë në gjërat që sugjeroni? A man jahu, mos u bëj kaq pesimist! Lufta s’fitohet as me pesimizëm, as me optimizëm, fitohet vetëm tue përballu realitetin. Meqenëse rruga për te Myslymi qenka e hapur, pse nuk hyn në kontakt? A e kanë marrë vesh se ti je atje? Si vete Bubi?
Po ky Georgi nga Përmeti – Doktori – cili është? Për çështjen e misionit, do të përpiqem. Me sinqeritet
Post P.S. Këtë letër mund ta shikojë edhe ‘Mjekra’. Shkruaj sa më shumë dhe sa më shpesh.”
Nga sa më sipër rezulton se Larry Post-i ishte një i dërguar i amerikanëve, ashtu si dhe misionarët britanikë, për të ndihmuar lëvizjen antifashiste. Si i tillë pra, pa fshehur përkatësinë e tij si njeri i shërbimeve sekrete amerikane, ai takon personalitete të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, si Haxhi Lleshin, Myslim Pezën, Sejfulla Malëshovën, Ymer Dishnicën, bile dhe Enver Hoxhën.
Mehmet Shehun nuk rezulton ta ketë takuar, megjithëse njihesh me të qysh nga koha e qenies së tyre në shkollën e Fultzit. Letra që Post i dërgon Hasan Reçit, nuk përbën një dokument agjenturor. Siç del dhe më lart, ai flet në terma mjaft pozitiv për luftën kundër pushtuesve, për aleatët, interesohet për të dhëna e fakte për luftën dhe udhëzon marrësin e letrës, Hasan Reçin, se si duhet të punojë. E porosit që t’i japë të fala Hysni Kapos, të hyjë në lidhje me Myslim Pezën e të tjerë, pra me personalitete të larta të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Në fund të letrës, e porosit gjithashtu që t’i japë të fala ‘Mjekrës’, Mehmet Shehut. Pseudonimi “Mjekra” nuk dihet se nga ka ardhur, por një gjë është e sigurt, që ky nuk është një pseudonim agjenturor, pra as pseudonimi i një personi në shërbim të amerikanëve. Gjithë konteksti i letrës e përjashton një gjë të tillë. Nëse “Mjekra” do të ishte pseudonimi i një agjenti, atëherë do të ishte absurde që në letër të përmendej emri i Mehmet Shehut në krah të pseudonimit të tij. Shumë njerëz gjatë luftës, për t’u ruajtur nga goditjet e armikut, mbanin pseudonime, me anën e të cilëve zhvillonin dhe korrespondencën me struktura apo individë të ndryshëm. Larry Post u arrestua në vitin 1946. Në ato vite, ministër i Brendshëm ishte Koçi Xoxe.
A do ta linte ky i fundit të qetë Mehmet Shehun nëse do të kishte në duart e tij një dokument komprometues për të, si agjent i amerikanëve, aq më tepër që Koçi Xoxe i kishte hapur dosje Mehmetit? Dhe së fundi, sipas tërë gjasave, Enver Hoxha është informuar në hollësi rreth deponimeve të personave të arrestuar, të akuzuar si agjentë në shërbim të agjenturave të huaja. Rrjedhimisht, do të ishte vënë dhe me siguri është vënë në dijeni, edhe për këtë rast.
Atëherë përse e mbajti kaq vjet në kasafortën e tij dhe nuk e nxori për të vënë me shpatulla pas murit Mehmet Shehun?! Nuk dihet nëse kjo letër ndodhet në dosjen operative apo hetimore të Hasan Reçit apo Llazar Papapostolit. Në ndonjë shkrim në median e shkruar, është thënë se kjo letër është gjetur në kasafortën e Mehmet Shehut, pas vetëvrasjes.
Logjikisht, ky dokument komprometues nuk kishte përse të ruhej në kasafortë. Aq më tepër që një njeri, i cili vendos të vrasë veten, para këtij akti, zhduk gjithçka që do të mbetej komprometuese për të./ Panorama.al