Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur arsyen përse ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u transferua në paraburgimin e Durrësit.
Teksa në burgun 313 u vendos ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, i cili u arrestua në lidhje me abuzimet që dolën në dritë për inceneratorin e Fierit, autoritetet kanë vendosur që të transferojnë nga ky institucion i vuajtjes së dënimit, ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
Koka qëndroi për disa kohë në këtë burg, por për arsye shëndetësore më pas u transferua në spitalin e burgut.
Duket se pas mbërritjes së Alqi Bllakos në këtë burg, është menduar që për arsye sigurie dhe hetimore, ish-ministri është transferuar në paraburgimin e Durrësit. Po ashtu Lala pohoi se nesër ish-ministri do të merret në pyetje nga prokurorët e SPAK.
Mes të tjerash është caktuar që Koka të paraqitet në SPAK në orën 10:00, ku do të dëshmojë për akuzat e ngritura për lidhjet me inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
Kjo është hera e parë që ish-ministri merret në pyetje pas arrestimit të tij, pasi nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.
Kujtojmë se në kohën kur Koka ishte ministër, Bllako mbante detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ndërsa ndaj ish-zyrtarëve rëndon e njëjta akuzë.