Mbrëmjen e së hënës, në mediat pranë Sali Berishës qarkulloi një lajm kundër Enkelejd Alibeaj, se është i përfshirë në një skandal në Paraguaji. Sipas tyre, ai ka pastruar paratë e Bashës në këtë vend.
Gjithçka erdhi pas një Twitteri të një gazetari paraguajan, ku janë ngritur akuza ndaj ish-presidentit të Bankës Qendrore të këtij shteti, Carlos Fernández Valdovinos.
“Ai thotë se organet hetimore të Paraguajit duhet të hetojnë transaksionet që Carlos Fernández Valdovinos ka kryer për interes të Alibeajt.
Nuk është e qartë se për çfarë veprimesh bankare bëhet fjalë dhe nëse ato janë kryer direkt në llogaritë e përfaqësuesit të Lulzim Bashës”, shkruan portali i familjes Berisha.
Por si qendron e vërteta?
Ditën e djeshme, gazetari nga Paraguaji, Pedro Escobar Medina ka kërkonte përmes një postimi në “Twitter” nga Ministria Publike në shtetin e tij, që të hetohet mbështetja që ekonomisti Carlos Fernández Valdovinos ka dhënë ndaj deputetit shqiptar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.
“Ministria Publike e Republikës së Paraguajit duhet të marrë në konsideratë të hetojë mbështetjen financiare dhe bankare të Carlos Fernández Valdovinos dhënë politikanit të korruptuar shqiptar Enkelejd Alibeaj”– shkruante ai.
Mirëpo i kontaktuar nga Hashtag.al lidhur me këtë akuzë, gazetari nga Paraguaji pranoi se nuk posedon asnjë provë ndaj Alibeajt.
“Informacioni për Alibeajn është i disponueshëm në dokumente zyrtare tek të cilat unë kam patur akses konfidencial këtu në Paraguaji dhe në Panama. Duhet të ketë një institucion në qeverinë e Shqipërisë që mund t’i kërkojë këto dokumente këtu në Bankën Qendrore të Paraguajit.
Gjithçka mund të them është që z.Alibeaj është një politikan i diskutueshëm – sipas burimeve dhe supozohet se është i lidhur me krimin e organizuar.
Ju duhet të rishqyrtoni publikimet e Emmanuele Ottolenghi-t për të krijuar një ide më të mirë për këto praktika të pastrimit të parave.
Të afërm të Alibeajt po punojnë në administrimin e pronave të tij në SHBA, gjithmonë duke iu referuar burimeve shumë serioze.”- përgjigjet gazetari nga Paraguaji duke pranuar se vetë nuk zotëron asnjë provë, por këto informacione i ka vetëm me burime.
Sulmi ndaj Alibeajt vjen në një moment delikat, pasi atij po i bëhet presion i fortë që t’i hapë rrugë Sali Berishës, që të marrë nën kontroll të plotë Partinë Demokratike.