Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët gjermanë edhe rreth integrimit të vendit në BE, në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin Federal të Gjermanisë, Olaf Scholz.
I pyetur nëse do t’i vinte keq Shqipërisë nëse Ukraina anëtarësohej më shpejt në BE për shkak të luftës, kreu i qeverisë tha se më shumë i shqetësuar është nëse Ukraina beson vërtet që ky është një skenar që ka gjasa të ndodhë.
Duke mos kursyer kritikat për Unionin, Rama theksoi se “nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar si funksionon BE. Por, edhe nëse ndodh që Ukraina të anëtarësohet në BE përpara Shqipërisë, shtoi Rama, nuk do të bëheshim xhelozë.”
“Më ve në pozitë sepse duhet të them të vërtetën. Unë më shumë jam shqetësuar nëse Ukraina vërtet mendon se mund të hyjë më shpejt. Jo se do hyjë më shpejt.
Do u thosha atyre që ushqejnë këtë iluzion, të mos e përdorin Ukrainën për të shprehur vizionin e tyre revolucionar në instanca të ndryshme. Nuk duhet shumë shkencë për ta kuptuar si funksionon BE. Nuk mund të ndodhë sipas meje. Nëse do të ndodhte, nuk do të bëheshim xhelozë.”