Ilir Meta ka shpërthyer në akuza të forta ndaj drejtësisë dhe qeverisë. Ai u shpreh, se asnjë zyrtar i korruptuar nuk ka përfunduar në pranga. Presidenti Ilir Meta kritikoi Prokurorinë e Posaçme, SPAK, se nuk ka hetuar asnjë nga vendimet e bashkisë së Tiranës, të cilat i quajti akte mafioze.
Në një konferencë për mediat, kreu i shtetit tha se SPAK nuk ka hetuar shembjen e Teatrit dhe inceneratorët.“I kam paralajmëruar prej kohësh që të mos i vënë stërkëmbëshin interesit publik. Asnjë veprim të prokurorisë dhe SPAK nuk kemi parë për ndëshkimin e akteve mafioze të Bashkisë së Tiranës, si shembja e Teatrit dhe inceneratori. Sot u shpik një fajtor për dështimet e qeverisë.
Nuk është Presidenti fajtor pse në Ukrainën që është në luftë nuk rriten çmimet, ndërsa në Shqipëri po. Pse këtu nuk rriten pagat dhe pensionet nuk është Presidenti fajtor. Për kriminalizimin e pashembullt të qeverisë nuk është Presidenti fajtor”, tha Meta. Ndërkohë, presidenti Ilir Meta deklaroi se fermerët janë braktisur nga qeveria. Ai tha, se drama e blegtorë është ulur këmbëkryq prej kohësh në vend.
Sipas Metës, ky nuk është i vetmi pasi shumë bashkëfermerë i kanë mbyllur stallat e lopëve prej vitesh dhe kjo është drama e blegtorisë, sektorit të traditës shqiptare.“Dëshpërimi i Syrjait, i cili paralajmëron mbylljen e stallës së lopëve të tij, krahas shumë bashkëfermerëve të cilët i kanë mbyllur ato prej kohësh, është drama e blegtorisë, sektorit të traditës shqiptare.
Vetëm në tre vite, u arrit të zhbëhet prodhimi i qumështit dhe mishit vendas duke përgjysmuar numrin e bagëtive, nga mospagesat e blegtorëve dhe zgjedha e taksave dhe e tatimeve më e rënda në Europë. Kjo nuk është thjesht zhbërja e bujqësisë dhe e blegtorisë, por edhe e vetë Shqipërisë”, tha ai.
Përplasjet Meta-Veliaj
Ndërkohë, presidenti Ilir Meta u është përgjigjur akuzave të kryebashkiakut Erion Veliaj se ka bllokuar firmosjen e ambasadorëve të caktuar. Meta i ka cilësuar ato si shpifje.
“Të gjithë personeli, ndaj gjithë atyre partnerëve që mund të jenë shqetësuar nga gënjeshtra dhe shpifje të tilla që presidenti paska bllokuar firmosjen e ambasadorëve të caktuar, të gjitha janë mashtrime ordinere, nuk janë rastësisht në ditën e kongresit, nëse do kishte ankesa kjo gjë mund të evidentohej nga ministrja e jashtme.
Qoftë edhe Bashkia e Tiranës që ka dërguar një propozim për ambasador të republikës jashtë vendit dhe nuk është miratuar nga presidenti i republikës. Kam bërë disa emërime ashtu sikurse janë paraqitur, kur shkelin ligjin dhe e sjellin te presidentin iu kujton ligji që ta çojnë të parlamenti dhe e sjellin te presidenti, e konfirmoj. Janë me dhjetëra ish-deputetë apo deputete apo njerëz që janë mashtruar, iu thuhet ta kemi çuar emrin tek presidenti por ai nuk të do ty dhe do të na bllokojë. U thonë ua kemi çuar emri por po na bllokon presidenti.
Ky edhe në gjumë gënjen”, tha Meta. Nga ana tjetër, Erion Veliaj i ka kthyer përgjigje Metës. Ai tha se Meta sqaroi atë që njerëzit tashmë e dinë.“Ishte një kongres me risi, aq sa komshiu përballë doli në konferencë për të sqaruar atë që njerëzit e dinë dhe mirë që doli se tregon kontrastin mes nesh dhe një fiksimxhiu që rrihet me policët”, tha Veliaj./Sidorela braçja