Që prej miratimit me vota unanime në Kuvendin e Shqipërisë në 21 korrik 2016, Reforma në Drejtësi është zvarritur në zbardhjen dhe ndëshkimin për aferat korruptive dhe kriminale të klasës politike në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit.
Pavarësisht dënimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe arrestimeve të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetit Alqi Bllako, shoqëria shqiptare ka shprehur rezerva të mëdha ndaj ecurisë së projektit të sponsorizuar nga SHBA dhe Bashkimi Europian teksa ende nuk është prekur pika nevralgjike e kupolës politike dhe shtetërore të vendit tonë, e cila konsiderohet si përgjegjëse dhe “fajtore” kryesore e shumë “mëkateve” si dhe degradimit të sistemit politiko-ekonomik në vend.
Pas 5 vitesh e 9 muaj që kur Reforma në Drejtësi u miratua nga Parlamenti shqiptar dhe u bekua nga ish-ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, struktura e drejtësisë në rindërtim e sipër ka vepruar në krahun e majtë të sistemit politik në Shqipëri, por në kampin tjetër janë hapur dosje për ngjarje të rënda që implikojnë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe shumë bashkëpunëtorë të tij.
Arsyet se përse “drejtësia e re” ende nuk ka përparuar në zbardhjen e plotë të “21 janarit” dhe “Gërdecit” janë të shumta, duke patur parasysh që ish-kreu i PD, jo vetëm nuk është tërhequr nga politika, por tashmë po organizon ristrukturimin e forcës më të madhe politike opozitare me qëllim rrëzimin e mazhorancës socialiste, është se ndëshkimi i drejtësisë do të konsiderohej ndryshe si goditje me prapavijë politike me qëllim fuqizimin e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama dhe dobësimin e opozitës.
Një tjetër arsye mund të jenë dhe rreziku që mbartin në vetvete zbardhja e plotë e këtyre ngjarjeve ndër më të rëndat në historinë e pluralizmit në Shqipëri duke krijuar mundësinë e krijimit të një konflikti të tmerrshëm me përmasa përtej politikës. Por, çështjet që tashmë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po shqyrton ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha nuk janë vetëm dy “damkat” e mësipërme të qeverisjes së tij 8-vjeçare 2005-2013. Afera korruptive CEZ-DIA dhe privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani” nga familjarë të tij janë dy çështje të tjera që SPAK ka marrë në ngarkim ndaj ish-liderit historik të PD.
“Gërdeci”
Ish-ministri i Mbrojtjes në vitet 2005-2008, Fatmir Mediu u padit nga familja Durda në SPAK në maj 2021 për vdekjen e djalit të tyre 7-vjeçar, Edisonit. Ndaj tij u ngritën akuzat për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i Detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.
Në 27 korrik 2021, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e SPAK për të hapur hetimet ndaj Mediut. Më pas në gusht 2021, SPAK tentoi ta shfuqizonte vendimin e shkallës së parë të GJKKO duke e dërguar për rishqyrtim në Apelin e GJKKO. Në 24 shtator 2021, shkalla e fundit e GJKKO rrëzoi vendimin e shkallës së parë të GJKKO duke i dhënë dritën jeshile hapjes së hetimeve ndaj kreut të Partisë Republikane.
Në 1 nëntor 2021, aleati i PD dhe ish-kryeministrit Sali Berisha bëri rekurs në Gjykatën e Lartë që të pushohen hetimet ndaj tij nga SPAK me argumentin se vendimi i Apelit të GJKKO ishte anti-kushtetues, duke cenuar parimin i objektit së gjykuar sa kohë një kërkesë për rigjykim ishte rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj. Por, në 23 dhjetor 2021, toga e gjyqtarëve nuk pranoi rekursin e Mediut duke arsyetuar se kërkesa e ish-ministrit të Mbrojtjes dhe Mjedisit ishte e pavlefshme pasi ai nuk ishte gjykuar asnjëherë më parë për “Gërdecin” dhe imuniteti si deputet i ishte hequr në atë kohë.
Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj ish-ministrit Mediu në 14 shtator 2009, kur ai kishte fituar sërish mandatin e deputetit dhe ishte emëruar Ministër i Mjedisit. Deri më sot, prokurorët e SPAK kanë marrë në pyetje familjarë të 26 viktimave dhe 300 të plagosurve të shpërthimit të fabrikës së armëve në Gërdec. Megjithatë, ende nuk janë marrë në pyetje Mediu dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në 2008 dhe ish-përfaqësues të lartë të qeverisë së kohës duke përfshirë dhe ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Dosja e “21 janarit”
Në 21 janar 2021, 10 vite pas vrasjes së 4 qytetarëve Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda gjatë protestës së dhunshme ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja paralajmëroi se çështja mund të përfundojë në SPAK për hetim të plotë. Në një studio televizive, ai zbuloi se ka ende prova për t’u marrë në sheshin para Kryeministrisë ku u vranë 4 “Dëshmorët e Atdheut”.
“Sprova e kësaj drejtësie që ne presim është 21 janari. Jam i bindur se pas kërkesës së Policisë së Tiranës mund të shihet dhe çështja e kompetencës së dosjes. Nëse do të zbardhet tërësisht si krim shtetëror, kjo dosje padiskutim që mund të përfundojë në dyert e SPAK. Ka veprime hetimore për ta risjellë skemën e 21 janarit dhe kjo është tërësisht e mundur të kryhen edhe nga Prokuroria. Përsëri ka prova po të kthehet në vendin e ngjarjes.
Unë besoj që 21 janari mund të zbardhet plotësisht”, deklaronte më shumë se 1 vit më parë ministri socialist. Në maj 2021, Prokuroria e Tiranës rinisi hetimet për vrasjen e njërit prej protestuesve, Aleks Nikës, ndërsa procedimi penal nisi në prill të vitit të kaluar.
Organi i akuzës së kryeqytetit pranoi kërkesën e Policisë së Tiranës për të ekzaminuar predhën që vrau Nikën në një nga vendet e BE. Për ngjarjen tragjike të 11 viteve më parë u dënuan me 1 vit burg, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe 3 vite ish-gardisti, Agim Llupo. Të dy u shpallën fajtorë për akuzën vrasje nga pakujdesia të Faik Myrtajt (nga Prendi) dhe Ziver Veizit (nga Llupo).
Për 21 janarin 2011 opinioni publik, PS dhe shumë media kanë kërkuar përballjen me drejtësinë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm të kohës, Lulzim Basha, të cilët akuzohen për urdhrin e përdorimit të armëve të zjarrit ndaj protestuesve dhe vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm.
Xhaxhai i Aleks Nikës deklaroi në 21 janar të këtij viti që SPAK të marrë në dorë çështjen e vrasjes së nipit të tij dhe 3 qytetarëve të tjerë. Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndikojë në këtë drejtim.
Afera “CEZ-DIA”
Në 23 mars të këtij viti, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri me dije se mazhoranca do të dërgonte një tjetër kallëzim penal lidhur me aferën CEZ-DIA, çështje e nisur prej gati 7 vitesh. Në daljen për mediat, zyrtari i lartë socialist theksoi se ka informacione të reja lidhur me një nga aferat më korruptive në historinë e shtetit shqiptar.
“Do bëjmë kallëzim penal të ri për skandalin e CEZ-DIA, kanë dalë gjëra të reja. Askush nuk mund të mbesë i padënuar për krimet që ka bërë”, u shpreh fillimisht Taulant Balla. Ai pranoi se është regjistruar një tjetër kallëzim nga një qytetar. “Kam marrë përgjigje për dy çështje që kam kërkuar. Kam depozituar dy kërkesa, një Prokurorit të Përgjithshëm për kallëzimin penal të vjeshtës 2020 në ngarkim të disa shtetasve ndër ta edhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Për këtë kam marrë përgjigje, kur jam informuar nga zoti Kraja (kreu i SPAK).
Ndërkohë, jam informuar se ka pasur kallëzim tjetër nga një qytetar për sa i përket aferës së CEZ e cila mbetet një prej aferave më të rënda në financat e vet që është dashur të hetohet”, vazhdoi më tej Balla. Për aferën CEZ-DIA, për të cilën PS nisi betejën ligjore në drejtësi që në vitin 2015, Balla paralajmëroi se çdo person i implikuar në këtë aferë korruptive do të dënohet nga ligji, duke nënkuptuar dhe ish-kryeministrin Berisha. “Për mua personalisht që e kam drejtuar atë komision, ka qenë e qartë çështja për çfarë bëhet fjalë. Kush ka ngjyer gjithë trupin në atë çështje, nuk shpëton dot”, tha në 23 mars, Taulant Balla
Privatizimi i kompleksit “Partizani”
Një tjetër çështje serioze për të cilën PS akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha është privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani”. Në padinë e dërguar në SPAK në 17 nëntor 2020, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla denoncoi Berishën së bashku dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se ky privatizim është korruptiv me qëllim kryerjen e pastrimit të parave të pista. Në 8 mars 2022, SPAK iu përgjigj kërkesës së Ballës për kallëzimin e 17 nëntorit 2020 se çështja është nën hetim.
Kompleksi “Partizani” u ble për 100 mijë euro dhe në sipërfaqen e blerë prej 10 mijë m2 janë ndërtuar 17 kulla. Vlera blerjes së truallit të këtij kompleksi ngjalli dyshime për parregullsi ligjore dhe korrupsion./ Shkruar nga Dario VELAJ