Kryetari i Partisë Social Demokrate të Serbisë, Rasim Ljajiç ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik, nga ku ka marrë dëmtime të rënda. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën bashkëpunëtori i tij Branko Gogiç, që ndodhej me të në makinë
Sipas medieve vendase, aksidenti ka ndodhur afër vendit të quajtur Razanj në Serbi, ku Gogiç që ishte në timonin e makinës “Skoda” ka vdekur në vendngjarje. Ndërkaq, Ljajiç është transportuar në Spitalin e Nishit, ku po merr trajtim mjekësor.
Mediat serbe raportojnë se ai ka marrë lëndime serioze në gjoks, por gjendja e tij është e qëndrueshme, ndërsa është i vetëdijshëm dhe nuk ka rrezik për jetën.