Sali Berisha, ka shtuar sulmet ndaj amerikanëve. Në një konferencë për mediat teksa ka folur për ecurinë e gjyqit në Parisë me Antony Blinken, ai tha se është avokati ai që po ndjek çështjen, ndërsa u shfaq shumë pesimist.
Kjo gjendje trishtimi shihej qartë në sytë e tij dhe madje këtë e tregonte qartë edhe zëri që i dridhej, kur theksoi se Blinken ka imunitet, duke pranuar indirekt edhe dështimin e tij në këtë proces. “Procesi vazhdon, në ç’fazë është po e ndjek avokati. Ka kundërshti të forta se asnjë nuk jemi qytetarë francez dhe Blinken ka imunitet. Ka pro faktin se shpifja dënohet aty ku lind.
Është në ndërgjegjen e gjykatësit ta vendosë. Do jetë praktike javore biseda me ju, do të shqyrtohen problematikat e javës. Jam i hapur për çdo gjë”, tha Berisha. Ai ka komentuar qëndrimet e ambasadores së SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.
Berisha theksoi, se do të kundërshtojë gjithmonë rastet kur vepron si guvernatore, dhe se nuk pajtohet me qëndrimet dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për qeverinë e Edi Ramës.“Garantoj se e kam shumë të qartë dhe kam respekt për ambasadoren kur ajo vepron në përputhej me përfaqësimin e presidentin Biden, sikundër nuk pajtohem me qëllimet e saj kur ajo vepron si guvernatore.
Unë do ta kundërshtoj dhe do ta denoncoj. Politikat e SHBA-ve në Tiranë pa asnjë diskutim synojnë mbështetje për këtë vend, nuk mund të pajtohem me qëndrimet e guvernatores, mbështetjen e saj të vazhdueshme për qeverinë e Edi Ramës dhe veprimet e mirëfillta anti-opozitare. Unë besoj dhe njëherë se shqiptarët duhet të jenë partnerë besnikë të SHBA-ve, por sovranë, si qytetarë, njerëz të lirë që vendosin me votën e tyre të lirë”, tha Berisha.
Berisha: Cilido zyrtar amerikan të paraqes fakte
Ndërkohë, ish-kryeministri, Sali Berisha ka sfiduar hapur ndërkombëtarët, sa i takon shpalljes “non-grata” nga SHBA-të. Ai theksoi se nëse ka një provë apo fakt që dëshmon korrupsionin e Berishës, ai merr çdo vendim. Berisha tha se në të kundërtën, nuk do të pranonte ndëshkim politik.
“Cilido zyrtar, amerikan apo i çdo vendi tjetër, të paraqesë një fakt apo provë të vetme të korrupsionit të Berishës, unë e kam shpallur se marr çdo vendim. përndryshe, çdo llogaritje se unë të pranoj ndëshkimin politik, apo falsitetin për shpifjen mbi të vërtetën, do të jetë e kot”, tha Berisha. Ndër të tjera, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi edhe legalizimin e kanabisit.
Ai tha se me legalizimin e kanabisit do të shohim një drogim masiv të të rinjve dhe të popullatës.“Si mjek jam plotësisht i vetëdijshëm se vaji, i kësaj bime apo nënprodukte të tjera përdoret për lehtësimin e disa rrethanave, ankthit dhimbjeve dhe e rrethanave të tjera.
Në këtë kontekst, të dhëna nga mjeku nuk kam ndonjë kundërshti. Por studime të gjera, të universiteteve më prestigjioze të botës, kanë faktuar se kanabisi krijon probleme serioze strukturore dhe në procese të trurit. Kanë faktuar se shumëfishon shfaqjen e psikozave shumë të rënda. U bëj thirrje shqiptarëve që të kundërshtojnë këtë. Do të shohim drogim masiv të të rinjve dhe të popullatës.. Është një shërbim që Rama u bën klientelës së organizatave kriminale”, tha Berisha.