Rasti i vëllait Xhafaj, përgjimi dhe vetëregjistrimi më pas i atij që kërkon të marrë mbi vete përgjegjësinë, të gjitha në një hark të shkurtër kohor, komentet dhe përplasjet që do të vazhdojnë edhe disa kohë, intervistat dhe bllokimet, dorëzimi i vëllait të ministrit Xhafaj tek autoritetet italiane, të gjitha janë temë e ditës.
Opozita e ka lidhur këtu kalin e betejës, shumica qeverisëse e ka ngritur këtu flamurin e fitores.
Si kanë ndryshuar gjërat në fare pak ditë: përse nga një opozitë këmbëngulëse se ajo, pikërisht ajo, qëndronte pas publikimit dhe se vetëm ajo kishte meritën e zbardhjes së të vërtetës, gjërat janë shtyrë drejt të tjerëve.
Opozita i dha rëndësinë më të madhe të mundshme përgjimit mjedisor, dhe nxorri në përballjen me publikun dy deputetë dhe një ish-ministër, pa harruar se nga dy deputetët, njëri kishte qenë ministër.
Secili prej tyre rrahu gjoksin se të dhënat e tyre, e theksoj, të tyre, ishin të sigurta, dhe se opozita mbante përgjegjësinë për të gjitha.
Në natën e publikimit, ish-shefi i qeverisë, në studion e Eni Vasilit, deklaroi se: “Vëllain e Xhafës e kemi përgjuar me kujdes, por nuk e nxjerrim dëshmitarin se e vrasin. Absolutisht, ai është, Agron Xhafa, i regjistruar me kujdes të plotë. Tregon se ai meritonte 100 herë atë regjistrim. Burimi nuk nxirret”.
Më poshtë, në fund të intervistës, Berisha deklaroi se: “Kush është personi X, personi X vinte nga Italia”.
Tashmë, të gjithë e dinë se personi X, jo vetëm që nuk vinte nga Italia, por ishte një ish-trafikant dhe hajdut, i dënuar në Itali, edhe për dënimin e tij gënjeu; i dënuar në Shqipëri, si hajdut, për këtë nuk tregoi; i papunë, njeri i veseve, mashtrues, pasi herë shfaqej si biznesmen dhe herë tjetër si fukara etj.
Mbrëmë, në emisionin “Të paekspozuarit”, Alibeaj, njëri ndër tre musketierët që shpalli përgjimin, duke u tërhequr nga deklarimet gjithë bujë se, opozita qëndronte pas zbulimit të skandalit, duke hedhur poshtë edhe ata që kishte deklaruar pak ditë më parë shefi i tij real, Berisha, pikërisht se “vëllain e Xhafës e kemi përgjuar me kujdes”, deklaroi se “përgjimet janë bërë nga gazetarët”.
Të paktën të merren vesh e njëri tjetrin: i kanë përgjuar me kujdes të plotë apo i kanë përgjuar gazetarët dhe, këto të fundit, duke parë se prokuroria është e kapur, policia, po ashtu, shefi i qeverisë kuptohet, i paskan dërguar pikërisht tek opozita, si njësi e besueshme. Po këto gazetarë, megjithëse jam i bindur se është vetëm një me ndihmën e ndonjë deputeti, për cilën media punojnë, nuk kanë ato liri në mediat e tyre për të bërë publik një “skandal” të tillë?
Fali Zot, këto dinë fare mirë të vrasin kur janë në pushtet, të të hedhin në erë, si ndodhi me Gërdecin, të të palosin në mes të livadhit si me Trebickën, të të gjejnë në një cep rruge si me Olldashin, të dëgjohen me zë e me figurë “se atë e dua, me sillni, e dua ose gjallë ose vdekur”, por, kur janë në ngutje e sipër, nuk dinë as të gënjejnë, të gjejnë një njeri pak më të besuar, jo një langaraq, i cili në fakt, kështu si kanë ardhur punët, është shëmbëlltyrë se ku e kanë lidhur kalin opozitarët.(dita)