Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të shqyrtojë kërkesën e kryetarit të komanduar të PD, Enkelejd Alibeaj për të shfuqizuar vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës që njohu ndryshimet statutore të PD të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Trajtimi i ankimimit të selisë blu i është besuar gjyqtares Blerina Muça. PD zyrtare kërkon që vendimi i marrë nga gjyqtari Agron Zhukri në 25 mars të anulohet, më pas çështja të rigjykohet nga një tjetër trupë gjykuese, ose që Apeli ta pushojë përfundimisht çështjen e amendimeve statutore të miratuara nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Gjyqtarja Muça do të vendosë nëse PD ka apo jo të drejtë të ankimojë vendimin e kolegut të saj Zhukri. Lidhur me datën e seancës së shqyrtimit të kësaj kërkese, ende nuk ka informacion se kur do të zhvillohet.
Statuti i 11 dhjetorit, ja përplasjet në gjykata
Ish-kryeministri Sali Berisha kërcënoi se nëse gjykatat nuk do të njohin statutin e PD të 11 dhjetorit 2021, personat përgjegjës do të vuajnë pasojat.
Në datën 4 prill, Alibeaj ankimoi në Gjykatën e Apelit të Tiranës regjistrimin e ndryshimit të statutit të PD nga “Kuvendi i anëtarësisë” në 11 dhjetor 2021, i cili u thirr nga Komisioni i Rithemelimit. Më pas, “Foltorja” u kundërpërgjigj nëpërmjet një deklarate zyrtare se Alibeaj nuk është kompetent për të bërë një kërkesë të tillë pasi është shkarkuar si n/kryetar i Partisë në 11 dhjetor si dhe seancën gjyqësore të 25 marsit e konsideroi si proces administrativ ku nuk pati as palë dhe as pjesëmarrës, por vetëm kërkues.
PD zyrtare sulmoi gjyqtarin Agron Zhukri duke deklaruar se ai nuk ka kaluar procesin e vetingut si dhe vendosi në favor të ish-kryeministrit Sali Berisha për shkak të konfliktit të interesit. Në vendimin e zbardhur dje, Zhukri arsyeton se mbledhja e 4200 firmave të delegatëve demokratë për mbajtjen e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 dhe depozitimi i tyre në zyrën e ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar Demokrat është i ligjshëm me pretendimin se ky organ është institucioni më i lartë mes dy kuvendeve, por pranon se nuk ka dispozitë që përcakton se ku duhet të depozitohen këto firma.
Momenti i dytë që ka shkaktuar përplasje të ashpër mes palëve është njohja e Komisionit të Rithemelimit të PD si organ drejtues i këtij Kuvendi. Pavarësisht se ish-kreu i PD, Lulzim Basha ka të drejtë të ngrejë një komision me 5 anëtarë për drejtimin e një kuvendi, gjyqtari Zhukri arsyetoi se përderisa ai nuk e ushtroi këtë përgjegjësi, komisioni në fjalë mund të ngrihet me propozimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe të miratohet me votë nga delegatët e Kuvendit.
Edhe pse Zhukri kërkoi fillimisht që tërhiqej nga gjykimi i ndryshimit të statutit të PD nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 duke pranuar se bashkëshortja kishte punuar më parë si sekretare e ish-kryeministrit Sali Berisha, Gjykata e Tiranës nuk e pranoi kërkesën e tij. Pasditen e 25 marsit, pasi u dha vendimi për njohjen e Komisionit të Rithemelimit si organ drejtues i PD, kreu i përkohshëm i PD, Enkelejd Alibeaj Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi paditi në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion gjyqtarin Agron Zhukri për shpërdorim detyre si duke e akuzuar se ai është takuar më parë me njërin prej anëtarëve të “Foltores”. Gjithashtu, Bardhi i bëri kërkesë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për gjyqtarin, Agron Zhukri.