Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi një ditë më parë, ditën e djeshme është mbledhur Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Kjo mbledhje u mbajt online dhe vjen dy ditë parë mbajtjes së Kongresit. Kështu mes shumë vendimesh që janë miratuar, ka qenë edhe thirrja e Kongresit të PS, i cili do të mbahet këtë të shtunë, ndërkohë që bie në sy fakti se kryeministri Edi Rama ka preferuar të mos flasë për ndryshimet në qeveri, duke shtuar edhe më tej ankthin tek ministrat e kabinetit të tij qeveritar.
Gazeta e ka deklaruar se për shkak të zhvillimet që kanë mbërthyer prej javësh vendin, sikundër është afera e inceneratorëve dhe jovetëm, zoti Rama po mendon të bëj ndryshime në ekzekutiv, në mënyrë që t’i japë më shumë grint punës së ministrive. Megjithatë nisur nga fakti kryesocialisti është njeri i surprizave, mbetët të shihet nëse rikompozimi i qeverisë do të ndodhë gjatë punimeve të Kongresit. Sidoqoftë, përtej këtyre prapaskenave, gazeta ka mësuar se në tryezën e Edi Ramës janë disa emra që pritet të bëhen pjesë e qeverisë.
Njëri prej tyre është Ditmir Bushati, i cili sipas burimeve nga Partia Socialiste, thuhet se do të marrë një post në qeverinë “Rama 3”. Kjo do të thitë se zoti Bushati, ka thyer akujt me kryeministrin Rama dhe rikthehet në ekzekutiv e në qendër të vëmendjen, pas disa muajsh heshtje. Por edhe kjo mbetet të shihet nëse do të bëhet realitet këtë të shtunë.
Rama sulmon opozitën
Mirëpo, përtej zhvillimeve dhe vendimeve që iu morën dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, kryeministri Edi Rama ka preferuar që të japë edhe vetë detaje dhe të flasë ndërkohë për mediat që ishin atashuara dje në ambientet e jashtme të selisë rozë, teksa nuk i ka kursyer “kritikat” ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Në një prononcim të shkurtër para gazetarëve, Rama theksoi se mazhoranca ka përgjegjësinë për të zgjedhur sipas tij një president normal, pasi kjo është hera e parë që i ka të gjitha votat e nevojshme. Sipas tij, grupi i mandatuar nga PS por diskuton me opozitarët, të cilët nuk i konsideron më as si kundërshtarë politikë. Për Ramën kundërshtari më i madh i PS, është vetë Partia Socialiste.
“Sa i përket pyetjes që ju bëni, ne kemi nisur një proces, ka një skuadër të mandatuar nga Kryesia e Partisë Socialiste, për të hapur një kanal komunikimi me forca, grupe, individë në Parlamentin e Shqipërisë, që përfaqësojnë anën tjetër, e cila është një anë me copa e me çika, por sidoqoftë këtë nuk e kemi zgjedhur ne.
Ne thjesht respektojmë këtë konfiguracion që ata kanë krijuar dhe në ndërkohë kemi hapur një proces të brendshëm, pasi është hera e parë që Partia Socialiste i ka votat për të zgjedhur Presidentin e nuk varet nga vota të të tjerëve, kështu që edhe përgjegjësia është e jashtëzakonshme për t’i dhënë Shqipërisë një President që të jetë një njeri normal”, deklaroi ai.
Kryeministri sulmon Berishën
Më tej kryeministri Edi Rama ka komentuar me ironi lajmet se Lulzim Basha, ish-kryedemokrati do të garojë për postin e presidentit për të zëvendësuar Ilir Metën.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Rama tha me ironi se mazhoranca voton Bashën, nëse ish-kryeministri Sali Berisha fiton një çmim “Oskar”. “Lulzim Basha mund të bëhet President i Republikës me votat e kësaj shumice aq sa Sali Berisha mund të fitojë çmimin Oskar me mbështetjen e “Syriqimit.net”. Faleminderit”, u shpreh ai. Ndërkohë zoti Rama u shpreh se PS ka brenda saj edhe mazhorancën edhe opozitën.
“Sigurisht që do të kemi jo vetëm ata që do të flasin në emër të lidershipit të partisë por do të kemi të gjithë disponimin dhe po bëjmë atë që duhet, për të pasur të ftuar që të përfshihen në debatet tona, në kërkim të një gjallërimi të debatit jo vetëm brenda familjes sonë politike, por gjallërimit të debatit të shëndetshëm me një frymë të shëndetshme kritike dhe vetëkritike, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të vetvetes, se problemi ynë më i madh është vetvetja, pasi kundërshtarët janë bërë një problem që të paktën për momentin nuk ekziston”, nënvizoi Rama.