Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës stafin e ish-kandidatit për kryetar të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, të cilët, pas zgjedhjeve të pjesshme vendore të marsit, nuk i kanë dhënë lekët një punonjësi.
Spartak Sofia, apo siç njihej “Taku i Shkodrës”, bashkë me një person tjetër, janë kontaktuar nga shtabi i “Shtëpisë së Lirisë” në Shkodër, për të hequr disa postera. “Personi që më kontaktoi edhe z.Damir Agovi, që merrej me fushatën e Bardh Spahisë. Më kërkoi që t’i hiqja disa postera nga shtabi, pas zgjedhjeve. Mua dhe shokut tim do t’na jepte 50 mijë lekë” thotë denoncuesi, ndërsa shton se deri më sot personi në fjalë nuk i ka dhënë hakun e punës.
“Taku i Shkodrës” thotë se është rritur te Shtëpia e Fëmijës, ndërsa merret me llojë llojë pune. “Punoj ku të munden. Gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit, merresha me heqje posterash apo reklamash nga xhamet e ndryshme” vijon më tej denoncimin, teksa ka në telefon edhe bisedat me z.Damir Agovi. Në këto biseda duket qartë se z.Agovi, aktualisht me detyrë te Drejtoria e Shërbimeve Bujqësore dhe Pyjore në Shkodër e ka kontaktuar për këto punë. Madje, ai i gjen lloj-lloj justifikimi për mos t’i dhënë hakun e punës.
Spartaku e ka telefonuar disa herë, por Damiri i ka thënë se do t’i jap tani, do t’i jap më vonë. Më tej i ka shkruar se “mos më nxirr bojën, do të jap dyfish”. Por, më pas i ka thënë se është në Tiranë, kam ikur, mos u bëj merak apo do të të jap dyfishin e lekëve!
Taku tenton që ta takojë Damirin te Drejtoria e Shërbimeve Bujqësore dhe Pyjore, por nuk e gjen. Ai e telefonon disa herë, por ai s’i hap telefonin! Më tej, “Taku i Shkodrës” shkon te Bashkia e Shkodrës për të takuar kryetarin e sapozgjedhur, Bardh Spahia. Bisedon me punonjësit dhe i thonë se Damiri është marrë me fushatën e Bardh Spahisë. Por, nuk e lejojnë të takojë kryetarin e sapo zgjedhur. Taku tenton që të komunikojë edhe me z.Spahia, por ai nuk i hap telefonin. Ai më tej i shkruan një mesazh, por nuk merr asnjë përgjigje.
“Kam hequr posterat e kandidatit Xhemal Bushati dhe stafi i tij m’i ka dhënë lekët. Kam hequr posterat e kandidates së PS-së Majlinda Angoni, edhe këta m’i dhanë. Ky që fitoi s’m’i dha…” përfundon Taku, i cili ka edhe një bisedë me z.Agovi, i cili i thotë “s’du me t’i dhënë!”.
Gazetarët e Fiks Fare kontaktojnë me z.Agovi, për ta pyetur për të gjithë situatën. Pas disa minutash ai i telefonon dhe i thotë se “e kam marrë unë për të bërë një punë dhe s’i kam dhënë lekët”. Punonjësi i bashkisë e pranon që nuk i ka dhënë lekët, por justifikohet se s’ka lidhje Shtabi i fushatës së Bardh Spahisë. “Ka hequr disa postera nga lokali im” tha ai, ndërsa pyetjes se a ishin posterat e z.Spahia, punonjësi pohoi se ishin të kryetarit aktual./ Top Channel