Ish -deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako është këtë të shtunë lënë në qeli. Ish-deputeti Bllako është lënë në burg nga Gjykata e Posaçme, edhe pse vetëm për masë sigurie, seanca për Bllakon në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zgjati 2 orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura.
Alqi Bllako akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit. Por, duket se ish-deputeti socialist nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK, ndërsa ka thënë në gjykatë se ka qenë vetëm një përcjellës i dokumenteve, duke ia ka kaluar kështu topin ministrave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Por kjo deklaratë tregon qartë se kambanat nuk bien vetëm për Bllakon, por edhe për ministra të qeverisë “Rama” të përfshirë në aferën e inceneratorëve. Megjithatë pritet të shihet se nëse SPAK do të nis një hetim ndaj ministrave, të cilët janë të përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Avokati e cilëson të padrejtë vendimin
Ndërkohë, avokati i Alqi Bllakos, Sokol Hazizaj e konsideroi vendimin e GJKKO të padrejtë, teksa theksoi se ish-deputeti, nuk ka lidhje me aferën e inceneratorëve pasi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit sipas tij, nuk i ka prodhuar ai dokumentet e shpronësimit, por thjesht i ka përcjellë aktet qeverisë për kontratën koncensionare.
Kjo deklaratë shigjeton edhe ministra dhe ish-ministra socialistë, duke treguar se zoti Bllako, ka firmosur shkresa që ja kanë dërguar ministritë e linjës, çka indirekt i bën edhe ato përgjegjëse. “Është jo ligjore dhe jo e drejtë. Tre faktet penale për të cilat ka identifikuar organi procedural i hetimit, që lidhet me shpronësimin e tokës, janë akte të prodhuara jo nga Alqi Bllako. Nuk është prodhuar akti nga Alqi Bllako.
Bllako në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm ka përcjellë vetëm dokumentacionin për shkak të akteve që dalin nga Këshilli i Ministrave”, tha avokati Sokol Hazizaj. Ndër të tjera, avokati i Alqi Bllakos, Sokol Hazizaj i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve se nëse ish-deputeti ka udhëtuar me Klodian Zoton nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas. Ai u shpreh, se kjo nuk është përmendur në kërkimet e organit procedural. Ai theksoi, se fakti që mund të kenë qenë në një avion nuk do të thotë se kanë pasur lidhje bashkë.
“Kjo nuk u përmend në kërkimet e organit procedurial të hetimit. Nuk është provë bindëse, për sa kohë nuk është provuar që bileta është paguar nga Zoto për Bllakon. Ne mund të udhëtojmë bashkë në një avion apo autobus, kjo s’do të thotë që kemi lidhje bashkë”, tha ai.
Kujtojmë që për arrestimin e Bllakos u raportua të enjten e 31 marsit, megjithatë ngjarja u mbulua nga një mister dhe shkaktoi debate, ku shumë media abuzuan dhe deklaruan se ai ishte arratisur, ndërkohë që e vërteta ishte se ai u vetëdorëzua në polici.
Megjithatë, Policia e Shtetit tha, se ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke hedhur poshtë çdo pretendim që u ngrit nga mungesa e informacionit zyrtar, se ish-deputeti mund të ishte arratisur.