Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj reagoi sot për herë të parë pas dëshmisë së Albert Veliut, dëshmitarit ‘X’ të Partisë Demokratike. Xhafaj iu përgjigj PD nga një aktivitet në Task Forcën Speciale krah ambasadores gjermane në Tiranë. Ministri i Brendshëm u shpreh se dëshmia e Veliut, që u paraqit dje nga Partia Demokratike është një sajesë dixhitale.
Për dëshminë e paraqitur dje nga PD, dua të them se këtu jemi në vendin e Task Forcës Speciale, kurse atje në vendin e sajesave dixhitale, detyra ime është të punoj për prokurorinë speciale, për policinë speciale, detyra e tyre është që të punojnë për qytetarin dixhital, të sajuar, kjo nuk është cështja ime, por e tyre. Unë kam zgjedhur këtë rrugë atë, ata kanë zgjedhur atë rrugë, për mua është shumë e rëndësishme të bëj detyrën.
Opozita dje publikoi një intervistë të personit që sipas PD-së ishte konsideruar si dëshmitari “X” dhe që u prezantua me emrin Albert Veliu. Pesë ditë më parë PD-ja publikoi një material audio, në të cilin sipas saj dëgjohej Albert Veliu duke folur me Agron Xhafën për të trafikuar lëndë narkotike, por Xhafaj sot e cilësoi si sajesë dixhitale.
Në prononcimin për mediat, ministri foli edhe për bashkëpunimin me autoritetet gjermane në luftën kundër krimit dhe trafikut, referuar edhe rastit të arrestimit të Arbër Çekajt, që u prangos pak ditë më parë në Dyseldorf, ndërsa pritet që të ekstradohet në Shqipëri, pasi akuzohet për sasinë rekord të 613 kg kokainë që u kap në Durrës në 28 shkurt.
Dëshiroj të falenderoj ambasadoren për vizitën dhe mesazhet që përcolli, por edhe për Task Forcën anti-skifter që punon me policinë gjermane. Theksoj mbështetjen e veçantë që qeveria e Gjermanisë është duke i ofruar ministrisë së Brendshme, policisë në luftën kundër krimit të organizuar. Mbështetja ka qenë jo thjeshtë në këshilla, por asistencë për strategjinë dhe planin e veprimit dhe kontribute në cështje konkrete. Kemi disa cështje në proces hetimi të përbashkët, janë të ndjeshme edhe për publikun shqiptar dhe palën gjermane, janë duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm shkëmbimi informacioni dhe hetimi të përbashkët për publikun shqiptar dhe jo vetëm. E vlerësoj shumë ambasadoren për mesazhet. Shqiptarët nuk janë ndër vendet që zënë një peshë të rëndësishme në krimin e zhvilluar në Gjermani, sa për dijeni përjashto ato që lidhen me kalimin e paligjshëm, emigracioni, për të tjerat shqiptarët renditen në vendin e 15 në Gjermani.
Ndërsa ambasadorja gjermane në Shqipëri Susanne Schütz tha se pas takimit po del me përshtypjet më të mira për rezultatet e arritura nga Task Forca.
Sapo pata një vizitë në ambientet e Task Forcës, po dal me përshtypje shumë pozitive, kemi arritur rezultatet e para dhe do ta mbështesim. Dua të theksoj që lufta kundër krimit është një nga prioritetet për ecjen në rrugën drejt BE, dot ë mbështesim në këtë drejtim.