Partia Demokratike dhe dëshmitari i saj Albert Veliu, kanë variante të ndryshme, se kush e regjistroi bisedën e supozuar mes “Babales” dhe Agron Xhafajt.
Fillimisht u tha se përgjimi ishte bërë nga vetë Ervin Salianji.
Më pas, në dëshminë e tij, Albert Veliu deklaroi se biseda ishte bërë nga Agron Xhafaj, për t’i bërë shantazh atij (se pse duhej t’i bënte Xhafaj shantazh atij, kur vetë “Babalja” kishte shkuar tek ai, s’merret vesh).
Por dje ka dalë një tjetër version. Enkelejd Alibeaj ka thënë se përgjimi i bisedës është bërë nga një gazetar. “Përgjimet janë bërë nga gazetarët. Falë Zotit në këtë vend ka edhe gazetarë trima”, deklaroi ai.
Por pse një gazetar do të dërgonte tek PD një përgjim të tillë? “Se tek policia është Fatmir Xhafaj, tek Partia Socialiste është Rama dhe kush ngel që audio-përgjimi të publikohej”, tha ai.
Me këtë që thotë Alibeaj, Agron Xhafaj qenka njeriu më budalla në botë, pasi bënte biseda për trafik droge, në prani të një gazetari!/ TemA