Ish-deputeti socialist Pandeli Majko, e shikon projektin “Open Balkan” si një iniciativë që ka prodhuar vetëm takime dhe asgjë konkrete. Majko i ftuar në një studio televizive dy ditë më parë, tha se nuk sheh asgjë tjetër nga nisma, dhe se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet ta lejojnë Serbinë të bëjë rolin e viktimës.
“Shqipëria dhe Kosova nuk duhet t’i lejojnë vetes që t’i ofrojnë statusin e viktimës palës tjetër, kur them palës tjetër, e kam fjalën për Beogradin. Të jem i sinqertë ‘Open Balkan’ thjesht një iniciativë 3-paleshe që nuk ka prodhuar asgjë përveç disa takimeve”, tha Majko.
Ish-kryeministri Majko ka folur edhe për zhvillimet në kampin kundërshtar të Partisë Socialiste, atë opozitar, ku theksoi se nuk ka shpresa që Partia Demokratike të bëhet siç ka qenë dikur, por që është e nevojshme të ringrihet, sepse duhet frymë opozitare në vend.
Gjithashtu ish-ministri i Qeverisë Rama, tha që shpreson tek rikthimi më i fortë i PD, sepse Partia Socialiste në pushtet, nuk mund të bëjë edhe Opozitën, sepse sipas tij opozita mungon për momentin, ku protagonistët e saj kanë nisur një luftë kundër njëri-tjetrit.
“Nuk kam ndonjë shpresë të madhe që Partia Demokratike do të jetë siç ka qenë, por të paktën të ndërtohet marrëdhënia politike, unë shikoj që në Parlament degradimi dallohet nga cilido besoj. Mendoj që është dramë politike që të japë dorëheqjen kryetari i opozitës pas 9 vitesh.
Në këtë kontekst përgjegjësia e atij që qeveris dyfishohet, nuk besoj që është koha të themi se mbase Partia Socialiste ka nevojë për katarsis. Jemi në pozitën, si të themi, i ka mbetur pushteti në dorë dhe duhet të shmangë me një koefiçent të caktuar, të marrë përsipër që të bëjë edhe opozitën sepse është një fenomen i munguar, kolegët e mi në opozitë e kanë mendjen të merren me njëri-tjetrin”, nënvizoi Majko në një dalje televizive këtë fundjavë, ku komentoi “Open Ballkan” dhe zhvillimet e brendshme në PD.