Dy partitë ekstreme të kaheve të kundërta, që u renditën të parat në zgjedhjet e fundit në Itali, kanë rënë dakord mbi formatin e qeverisjes së përbashkët, me një vendim që ka ndikuar edhe në bursa dhe ka nxitur thirrjet e BE-së për të respektuar rregullat.
Të dyja partitë në fushatat e tyre janë kundër BE-së, kanë qenë kundër monedhës së përbashkët dhe kanë kërkuar më shumë shkëputje të Italisë nga politikat dhe rregullat europiane.
Ndërsa zyrtarë të këtyre lëvizjeje kanë siguruar se nuk kanë në plan të bëjnë lëvizje që të nxjerrin Italinë nga BE apo Euro, në programin qeverisës për të cilin ranë dakord palët, ka vendime të cilat janë në kundërshtim me rregulloren financiare të BE-së. Të dyja palët janë zotuar se do të ulin taksat, do të shkurtojnë shpenzimet dhe do të eliminojnë një reformë pensionesh të kërkuar nga BE.
Liderët e lëvizjes 5 Yjet (ekstremi i majtë) dhe Legës (ekstremi i djathtë) dolën më të votuarit në zgjedhjet e 4 marsit në Itali dhe megjithëse gjatë fushatës thanë se nuk kanë ndër mend të bashkëpunojnë me njëritjetrin për shkak të këndvështrimeve tejet të kundërta në çështjeve të rëndësishme, ja ku janë tani duke diskutuar se cili prej tyre do të drejtojë vendin, me politika të përbashkëta. Kur kreu i lëvizjes 5 Yjet, Luigi Di Maio, doli nga një takim katër orësh me kreun e Legës, Matteo Salvini, ai tha se atyre u ishte dashur të “përvijonin disa detaje të fundit të programit”.
Të pyetur për emrin se cili prej tyre do të drejtonte qeverinë, Salvini tha se nuk do të jetë ai, por as Di Maio. Me sa duket palët kanë rënë dakord për një person që mund të ketë aftësinë të jetë asnjanës në bashkëpunimin më të çuditshëm politik në Europë.
Sipas një drafti të planit të tyre të qeverisjes, i cili duhet ende të ratifikohet nga anëtarët e të dyja palëve dhe nga Presidenti, ata do të shkurtojnë taksat, do të rrisin pagesat e kujdesit për të varfrit dhe do të eliminojnë reformën e shumëkundërshtuar të pensioneve. Këto politika do t’i kushtojnë Italisë miliarda euro. Italia është ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës.
Plani i tyre është një sfidë e drejtpërdrejtë me rregullat fiskale të BE-së. Në draft i bëhet thirrje gjithashtu unionit që të krijojë një hapësirë fiskale për shpenzimet, duke rregulluar formulën që përdor për të llogaritur borxhin e Italisë, për të cilin rregullat thonë se duhet ulur. Të enjten Zyra e Statistikave të BE-së tha se nuk mund të përjashtojë bonot italiane të mbajtura në Bankën Qendrore Europiane nga llogaritja e borxhit.
Lajmi për këtë draft ka shkaktuar shqetësime në Bruksel , ku zv.presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, u tha parlamentarëve në BE të enjten se qeveria e re e Italisë duhet të respektojë rregullat fiskale dhe të vazhdojë të ulë borxhin publik. “Ky është mesazhi ynë për qeverinë e re. Është e rëndë- sishme që të qëndroni në këtë drejtim”, tha Dombrovskis. /Panorama