Qeveria shumë shpejt pritet që të nisë një tjetër furtunë shkarkimesh në administratën publike. Ditën e mërkurë kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, u mësua se ka paralajmëruar se në kuadër turit të llogaridhënies do të shkarkohen shumë drejtorë. Dhe duket se ditët në vijim do të jenë deçizive për fatin e shumë drejtorëve.
Sipas informacioneve, në ditët në vijim do të bëhet një bilanc i takimeve të deritanishme me qytetarët. Turi i llogaridhënies ka pambushur dy javët e para dhe mësohet se të gjithë ministrat dhe institucionet do të hartojnë një listë me ankesat e qytetarëve. Aty ku ka më shumë ankesa, kryeministri ka kërkuar që të nisë shkarkimi i drejtorëve, pavarësisht bindjes së tyre politike.
Po kush janë drejtoritë dhe institucionet më të rrezikuara? Gazeta ka bërë një kërkim, duke u bazuar në ankesat kryesore të qytetarëve gjatë turit të deri tanishëm të llogaridhënies. Dhe rezulton se janë disa institucione dhe drejtori të rëndësishme, të cilat do të preken nga reforma.
Behët fjalë për Hipotekat, ALUIZNI, Inspektoratet e Mjedisit, drejtoritë e Bujqësisë, AKU, Spitalet, drejtoritë Arsimore, Tatimet, zyrat e Punës, Ujësjellës Kanalizimet dhe OSHEE. Pra duke i bërë një analizë turit dy javor të llogaridhënies publike dhe që është transmetuar edhe në media, vihet re se në shumicën e ankesave dominojnë shqetësimet për këto drejtori.
Kështu që të ndodhur përpara kësaj situate, qeverisë i duhet që të nisë edhe furtunën e shkarkimeve për titullarët e këtyre institucioneve.
Roli i prefektëve
Identifikimi i drejtorëve që nuk kanë bërë si duhet punën e tyre, duke mos iu përgjigjur në kohë shqetësimeve të qytetarëve, do të bëhet edhe në një rrugë tjetër. Gazeta mësoi se në “gjueti” të drejtorëve që do shkarkohen kanë hyrë edhe Prefekturat.
Sipas informacioneve, dje në disa prefektura të ndryshme të vendit janë zhvilluar disa takime me drejtuesit e strukturave të pushteti qendror në nivel qarku, ku theksi është vendosur në disa pika të rëndësishme. Mësohet se gjatë këtyre takimeve është theksuar se bashkëqeverisja, roli i përfaqësuesve të pushtetit qendror në nivel vendor, reforma e ujit dhe çështja e tokës kanë qënë disa nga çështjet kryesore.
Pra në këto takime, mësohet se prefektët kanë paralajmëruar drejtorët se do të shkarkohen nëse ndaj institucioneve të tyre ka ankesa nga qytetarët. Megjithatë, mbetet për tu parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Efektet e turit të llogaridhënies
Turi i llogaridhënies duke se ka hyrë në shinat e duhura. Para nisjes së kësaj fushate, kryeministri Edi Rama deklaroi se qëllimi i këtij turi është llogaridhënia që sipas tij, duhet të japë qeveria para qytetarëve, duke dëgjuar çdo shqetësim të tyre.
Gazeta ka bërë një listim dhe deri tani rezultojnë plot tre drejtorë të rëndësishëm, të cilët janë shkarkuar, për shkak se nuk kanë kryer si duhet punën. Sinjali i parë erdhi nga qyteti i Beratit, aty ku pak ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj shkarkoi publikisht kreun e ZVRPPP në këtë qark. Shkarkimi i kreut të ZVRPPP në Berat erdhi, pasi shumica e ankesave të dërguara tek platforma e bashkëqeverisjes nga ana e qytetarëve, kishin si target pikërisht zyrat e hipotekave.
Më pas, “dara” e shkarkimeve nuk kurseu as drejtorin e Përgjithshëm të Hipotekave, Elion Semanaj, i cili u shkarkuar pak ditë më parë. Madje, lajmin për shkarkimin e Semanajt, e nxori e para Gazeta SOT. Ndërkohë që “viktima” e tretë e trurit të llogaridhënies ishte kryeinspektor i Mjedisit në Elbasan. Ky i fundit është shkarkuar pak ditë më parë nga detyra me urdhër të ministrit të Mjedisit, Blendi Klosi, pas ankesave të banorëve të Bradasheshit./SOT