Prej disa ditësh kryetemë politike e mediatike është dosja e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili rezulton i dënuar për trafik droge në Itali, ndërsa dy ditë më parë u publikua një audio-përgjim sipas të cilit Agron Xhafaj ka vijuar me trafikim narkotikësh edhe gjatë kohëve të fundit.
Kjo situatë ka “përçarë” Opozitë, ku LSI është distancuar nga këto denoncime. Ka qenë Luan Rama, nënkryetar i LSI-së, i cili tha se kjo video-përgjim është aksion i Partisë Demokratike.
“Përgjimi është aksion i PD-së. Po, është një aksion i Partisë Demokratike. Çështja është se ky aksion i PD, është një sajesë, apo jo? Si ngjarje kjo nuk është e re për median dhe publikun, unë kam qenë Ministër i Mbrojtjes në atë kohë kur ka dal ky problem dhe është e vërtetë që Xhafaj në atë kohë ka kërkuar dorëheqjen te Majko. Por sot nuk kemi një ngjarje që lindi dje, ka një background ngjarja, elementët konkretë pastaj janë dokumentet e vendimit në Itali. Këtu bëhet fjalë për emra konkretë që janë të vërtetë dhe vijmë te intervista apo përgjimi që ka dal. Duhet të ndërhyjë prokuroria, e cila edhe në një shtet anormal si ky i yni prokuroria duhet të ishte investuar që në momentin e parë që doli vendimi i gjykatës për Agron Xhafajn. Dmth prokuroria sekuestron përgjimin, intervistën me gazetarin etj.”, – tha Luan Rama në emisionin ” Të paekspozuarit”.