Media dhe portale pranë opozitës publikuan mbrëmjen e sotme një lajm ku kanë “zbuluar” Ermalin që përmend “Bashkëpunëtori X” Albert Veliu në dëshminë e publikuar nga Partia Demokratike.
Sipas këtyre mediave, bëhet fjalë për Ermal Milorin, si “shefi i kufirit” tek i cili Agron Xhafaj e drejtoi Albert Veliun për ta ndihmuar në trafikun e kanabisit drejt Italisë.
Portali “Politiko.al” e publikon si të konfirmuar se bëhet fjalë për Ermal Milorin.
Por nuk kanë denjuar të bëjnë asnjë verifikim të fakteve apo të kohës.
Veliu thotë se Ermali punonte te Kufiri dhe pretendon se regjistrimi është kryer katër muajt e fundit apo si i pasigurt për kohën përmend edhe gjashtë muaj.
Por Ermal Milori nuk ka qenë ndonjëherë me detyrë shef kufiri në Vlorë ku Veliu pretendon se është bërë biseda.
“Ermali është shef i Kufirit, më duket”, pohon Veliu në rrëfimin e tij, por shton se nuk është i sigurt, dhe nuk ia di mbiemrin, pasi e ka takuar vetëm një herë.
Ermal Milori rezulton se ka qenë nga 8 maji 2017, deri në shtator 2017, shef sektori i Analizës në Drejtorinë e Tiranës, e më pas ka qenë dhe vijon të jetë specialist i thjeshtë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.