Adil Dautaj, 41 vjeç banues në Tropojë dhe Afrim Zhutaj, 43-vjeç nga Kepeneku, janë dy minatorët që humbën jetën sot pas shembjes së galerisë së kromit në Lajthizë të Tropojës.
Sipas raportimeve ata ndodheshin në 1000 metra thellësi rreth orës 11:54 bashkë me katër kolegë të tyre.
Në një moment galeria e kromit pësoi shembje dhe i zuri poshtë. Katër shokët e Dautaj e Zhutajt arritën të dilnin, por ata të dy mbetën të bllokuar për më shumë orë dhe si pasojë e asfiksimit ndërruan jetë.
Minatorët lanë pas fëmijët e tyre, Dautaj dy, ndërsa Zhutaj, tre.
Tropojë/ Informacion shtesë.
Në vijim të informacionit të dhënë më parë, në lidhje me shembjen e galerisë në fshatin Lajthizë, ku humbi jetën shtetasi A.D, 41 vjeç dhe mbeti i bllokuar në brendësi të galerisë shtetasi A.ZH, ju informojmë se:
Nga grupi i Avari-Shpëtimit të Minierave, punonjësit e Policisë dhe minatorët, u bë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit A. Zh., 40 vjeç, banues në Kepenek, Tropojë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë po vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.