Nga Mero Baze
Kemi dy ultimatume. I pari më i afërti vjen nga Grida Duma. Ajo i ka dhënë ultimatum Lulzim Bashës që deri nesër të plotësojë kërkesat e saj, ndryshe nuk e di çfarë e pret. Nuk jam shumë i qartë se çfarë grupi përfaqëson ekzaktësisht Grida kundër Lulit, por mendohet se është një drejtueset e së paku tre grupeve që Basha ka kundër në PD, dhe vija e kuqe që ndan fatin e Lulzim Bashës, është së paku ikja nga kreu i PD.
Ultimatumi i Gridës pason ultimatumin e një prej mbështetësve të Berishës, që ka paralajmëruar Lulin, se duhet jo vetëm të largohet, por të mbyllë gojën dhe të mos kërkojë largimin e Doktorit.
Por as Edi Rama nuk i ka më mirë punët.
Grupi i gatshëm i protestuesve, që dalin në bulevard për shkak të rritjes së çmimeve, i kanë vënë Edi Ramës ultimatum deri të shtunën. Njëri prej liderëve të një prej grupeve që protestojnë, i ka renditur një tabelë me gjashtë pika dhe i thotë që nëse nuk i plotëson ato, atëherë duhet të ikë, se ndryshe do ndodh më e keqja.
Një tjetër drejtues, i një grupi protestuesish, por që përfaqëson fraksionin e 8 janarit, ka denoncuar ultimatumin e parë, dhe ka paraqitur disa pika të tjera, duke mos e ndryshuar thelbin e kërcënimit. Thjesht Rama duhet të plotësojë kërkesat e tij dhe jo të atij tjetrit.
Kundër të dy grupeve, është një i tretë, me prirje “arqiomarksiste” i cili, nëse nuk do largohet Edi Rama e kërcënon se do ekzekutojë pesë gazetarë që e mbështesin atë, në shenjë hakmarrje.
E përbashkëta e të dy ultimatumeve është Lulzim Basha, i cili ka gjasa të jetë fajtor jo vetëm për humbjen e PD, por edhe për rritjen e çmimeve, pasi protestuesit e mbajnë në duar dhe portretin e tij si sinonim i armikut.
Do të mjaftonin ultimatumet për të kuptuar se kush janë protestuesit, pse janë në rrugë dhe çfarë kërkojnë. Nuk janë njerëz të Putinit. Për hir të së vërtetës, ata janë seriozë dhe nuk harxhojnë pare për gjëra joserioze. Kur e marrin ata në dorë, kuptohet qe është serioze. Këta thjesht duan t’i bien ne sy për mirë.
Nuk janë as përfaqësues të njerëzve në nevojë dhe as përfaqësues idesh ekonomike. Një sharlatan që bën sikur qan për naftën e ARMO e del duke bërë llogari nëpër ekrane, ka qenë bashkepuntor i Rezart Taçit, në historinë e privatizimit dhe mbledhës lekësh në AKBN duke u marrë dhe gjysmat e dietave punonjësve për llogari të LSI. E kam para sysh gëzimin e tij kur Rezart Taçi na agresonte ne gazetarëve që denonconim shitjen e ARMOS .
Të tjerët, në shumicë janë mitomanë të konsumuar nga çdo parti dhe protestë prej dhjetë vitesh në këtë vend. Ata ngjajnë më shumë me ato vajzat fatkeqe që dikush u ka premtuar parajsën dhe i nxjerr në semafor, dhe që tashmë atë që e kanë punë për bukë të gojës, na e paraqesin si ideal.
Ultimatumet e tyre na çojnë të gjithë tek Shtëpia e Lirisë, e cila në fakt vuan nga sindromi i ultimatumeve. I pari i shtëpisë, Sali Berisha, ka marrë një ndëshkim të përjetshëm, si hajdut për korrupsion domethënës, si minues i demokracisë dhe si dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë.
I dyti Ilir Meta, dhe për shkak të problemeve mendore, jeton natë e ditë nën një kërcënim të padukshëm se mund ta degdisin të vdekur tek Mali me Gropa. Për këtë arsye, ata janë të paqartë se ç’duhet të bëjnë me protestën, ç’duhet të bëjnë me ultimatumet e tyre, dhe mbi të gjitha ç’duhet të bëjnë me “fitoren” e tyre më 6 mars, e cila “fort po shndrin, e pak po ngroh”.
Ndaj tani duhet të durojmë disa ditë vetëm ultimatume. Luli e ka afatin deri nesër, Rama e ka afatin deri të shtunën, Berisha dhe Meta janë mall pa afat. Si gjithë të vdekurit.