Për shtatë ditë me radhë disa dhjetëra qytetarë po protestojnë kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe produkteve të shportës. Kësaj proteste sot i janë bashkuar edhe studentët të cilët kanë bojkotuar mësimin deri në uljen e çmimeve.
Sot, protestuesit kanë prezantuar edhe një sërë kërkesash për qeverinë, duke i lënë afat Edi Ramës deri ditën e shtunë, kur do të bëhet edhe marshimi i madh në Tiranë. Në rast se kërkesat nuk plotësohen nga qeveria, qytetarët i kërkojnë Ramës dorëheqjen.
Protestuesit kërkojnë heqjen e taksës së qarkullimit dhe pezullim të alternuar të barrës fiskale mbi çmimin e karburantit. Ata kërkojnë pezullimin e TVSH-së për produktet e shportës bazë, përcaktimin dhe ngrirjen e përkohshme të marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.
Ndër të tjera protestuesit kërkojnë një paketë reale ndihme për penisonistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomime deri në tejkalimin e krizës dhe përcaktimin e minimumit jetik.
Një nga drejtuesit e protestës, Alban Rexha ka thënë se të shtunën do të bëjnë çadrat gati dhe nuk do të lëvizin nga bulevardi.
“I bëj thirrje të gjithë tifo-grupeve që të mblidhen dhe ti tregojnë këtij që kjo është Shqipëria. Përgatitu Edi Rama, të shtunën aty do i vendosim çadrat, jemi përgatitur”, tha Rexha, i njohur ndryshe edhe me pseudonimin “Ujku”.
Ky i fundit, prej vitesh njihet si personazh problematik, sidomos nëpër stadiume.
Rexha, i njohur në publik për pjesëmarrjen në show-n “Kafazi i Artë”, pak kohë më parë u shpall edhe në kërkim nga policia, për akte dhune në stadium.
Pasi u shpall në kërkim, ai i shkruante një letër vajzës së vogël:
“Vajza ime të kërkoj falje që nuk jam pranë teje. Unë e di që të mungon qumështi, të mungon forca më e madhe, por ti mos u mërzit se Zoti do të ndihmojë. Gjithashtu edhe xhaxhi Goni nuk do t’iu lërë vetëm. Më fal, më fal, më fal Elif. Vetëm për ty mendoj.
Mos e beso kurrë, ujku jot nuk është terrorist, por një njeri që beson shumë në Zot dhe nuk do ta bëja kurrë një gjë të tillë.
Elif, mos u tremb nga babai jot, se unë e di se kush është e vërteta. Do dënohem si një ultras i Tiranës dhe jo si terrorist. Të do shumë babi”, shkruante Alban Rexha, që nuk dihet se si e mbylli këtë çështje dhe tashmë del në krye të protestës.