Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit e tij në rrjetin social në Facebook, duke iu përgjigjur mbi çmimin e kripur prej gati 10 mijë euro që qarkulloi rreth abazhurit të tij, që u pikas gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët mbi protestën e tyre kundër rritjes së çmimeve.
Duke iu referuar një prej publikimeve të kryeministrit Rama mbi paketën e rezistencës sociale, një prej ndjekësve të tij në Facebook, i shkruan se abazhuri është bërë si puna e stufës ndërsa i vë në dukje kryeministrit se pse i frikësohet protestave dhe se si bën moral ndaj protestuesve.
“Ama ambazhuri bukur mbrapa si puna stufës. Dhe pastaj ke te drejt qe friksohesh prej protestave! Dhe ben moral qe duhet me sakrifikù prej luftës”, i shkruan komentuesi.
Ndërkaq, kreu i qeverisë i kthehet duke i shpjeguar se abazhuri është i kohës së Italisë, por gjithçka që është komentuar sipas tij, vjen për shkak të paditurisë.
“Alfred Hidri “ambazhuri” eshte i kohes se Italise dhe ka qene aty ka 80 e kusur vite, prandaj them une qe paturpesia e paditurise eshte armiku me i madh i ketij kombi, sepse te jete njeriu i paditur eshte krejt e natyrshme, s’mund t’i dime te tera, po ama mesojme para se te flasim per dicka qe nuk e dime, por te jete paturpesisht i paditur do te thote te mos shikoje, degjoje, kuptoje, po vetem te flase me krenari budallalleqe, duke share, perqeshur, akuzuar te tjerët”, i përgjigjet kryeministri, komentuesit.