Në muajin Prill, pritet që Parlamenti të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi Ilir Metës i mbaron mandati. Zhvillimet e fundit politike paralajmërojnë se kryeministri Edi Rama do të propozojë emrin pa konsensusin e opozitës.
Partia Socialiste, me në krye Ramën vijon të shtojë mbështetjen popullore edhe pas 9 vitesh në pushtet, e ndihmuar edhe nga tkurrja e votuesve të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, duke e thelluar edhe më shumë përçarjen mes demokratëve.
Ky ishte mesazhi i qartë i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 Marsit 2022. Opozita vazhdon të lëvizë në drejtim të paditur, pa një “kokë” në krye, pasi si Lulzim Basha, edhe Sali Berisha pretendojnë se janë drejtuesit e opozitës, por që në prapaskenë, si lider qëndron dhe Ilir Meta. Përçarjen e thellë e të dukshme dhe gjendjen e rëndë në të cilën është futur opozita e konfirmoi vetë kryeministri Rama pas zgjedhjeve.
Ai nuk nguroi të theksojë se kjo fitore ka 2-fish vlerë edhe për faktin se socialistët në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, nuk i “ndezën fuqishëm” motorët elektoral, por pavarësisht kësaj arriti që t’i mundte kundërshtarët, madje me një diferencë të thellë.
Rama drejt zgjedhjes së presidentit të ri pa konsensusin e opozitës
Partia Socialiste e ka paralajmëruar vetë se zgjedhja e presidentit të ri mund të kalojë pa konsensusin e opozitës, ndërkohë që gazeta ka mësuar se Edi Rama ka piktura një femër për kreun e ardhshëm të shtetit. Kujtojmë që ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi përpara zgjedhjeve se e shikon të vështirë konsultimin me opozitën për emrin që do të zëvendësojë Ilir Metën, pasi siç thotë ajo ata tashmë janë të fragmentuar.
“ Është bërë e vështirë të konsultohesh me opozitën parlamentare tani që është e fragmentuar dhe antagoniste, ke të pyesim dhe me kë të konsultohemi prej tyre. Ama me qytetarët me deputetet dhe me këdo që ka një opinion për këtë çështje, patjetër. Kushtetua përcakton disa raunde dhe disa kritere për presidentin dhe do ti respektojmë. Konsultimi është i domosdoshëm, por edhe vota pa diskutim”, tha ministrja Spiropali. “Vulën” i vuri kryeministri Rama, kur u pyet se a do të kishte bashkëpunim me opozitën për një emër konsensual.
Kreu i qeverisë u përgjigj me ironi duke hedhur poshtë çdo mundësi pasi , sipas tij, opozita është pa kryetar. “Për momentin nuk kemi me ke flasim”, tha Rama. Kryeministri ka thënë se emrat e fundit kanë degraduar figurën e Kreut të Shtetit, ndaj sipas tij, duhet gjetur një “njeri normal”, ndërsa shtoi se për këtë çështje duhet pyetur edhe populli shqiptar, duke anashkaluar opozitën.
“Na duhet të zgjedhim presidentin dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar, në radhë të parë. Komplikimi i skajshëm me krijimin e dy PD, na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun, me opozitën parlamentare, por ndërkohë ne duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë apo në një tjetër duhet të gjejmë mënyrën për mbledhur opinionin e njerëzve lidhur me figurën e Presidentit të Republikës.