Kreu i opozitës Lulzim Basha u është përgjigjur dje deklaratave të kryeministrit. Ky i fundit tha se audio-përgjimi i publikuar nga PD ishte mashtrim, por Basha e ka rrëzuar poshtë. Sipas tij, Rama po ndjek të njëjtën rrugë si me Saimir Tahirin.
“Është e njëjta shfaqje që e kemi parë Edi Ramën duke bërë në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe të bandës së tij të Habiljave. Janë të njëjtat fjalë me të cilat mohoi kanabizimin e Shqipërisë. Është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin.
Sot ishte radha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambientale, të pamanipuluara! Materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm.
Këtë fakt nuk e mohoi dot as vetë Edi Rama sot, sepse ai e di që Agron Xhafaj është një nga kokat e krimit. Edi Rama ka mjaftueshëm informacion për fuqinë e Agron Xhafajt mbi policinë e Vlorës, Policinë e Shtetit dhe rrjetit të tij kriminal në Vlorë”, tha ai.
Basha ka deklaruar më tej se Agron Xhafaj ka vijuar trafikun e drogës. Sipas tij, shfaqja e kryeministrit ishte e neveritshme. “Është mashtrim deklarata e Edi Ramës se ai po pret raportet e agjencive ligjzbatuese, nëse kanë indicie për Agron Xhafajn! Faktet tregojnë se ai fshehu dhe mohoi për 3 vjet rresht raportet e shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja për implikimin e Saimir Tahirit dhe Policisë së Shtetit në kanabizimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.
Edi Rama e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është ministër i Brendshëm. Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj po dërgohet në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figurë!
Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës rezultate ekspertize nga laboratorë pa emër apo nën pushtetin e tij. Shfaqja e Edi Ramës sot është po aq e neveritshme dhe e pabesueshme sa ishte dy vjet më parë, kur u mohonte shqiptarëve se Agron Xhafaj ishte i dënuar për drogë”, tha ai./SOT