Policia ka zbardhur plagosjen dje në lagjen ‘Pavarësia’. Në kërkim janë shpallur tre autorët e plagosjes, ndërsa 30-vjeçari që mori një plumb në këmbë Eraldo.L. është arrestuar. Në kërkim janë shpallur; N.Ç. 34 vjeç banues në Tiranë, G.GJ. 28 vjeç banues në Radhimë dhe M.A. 25 vjeç banues në Babicë e Madhe.
Tre personat pas një konflikti qëlluan me armë zjarri në një lokal në Vlorë 30-vjeçarin banues në Llakatund, që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ky i fundit u arrestua, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij “Range Rover”, u gjetën dhe u sekuestruan 200 fara kanabisi. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu një gëzhojë arme zjarri dhe një ”Porsche”.
Ende nuk dihen shkaqet e plagosjes, ndërsa materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” për tre autorët dhe “Prodhim,shitja e narkotikëve”, për shtetasin Eraldo.L., të parashikuar nga nenet 88 e 25, 278/1 dhe 283 të Kodit Penal.