Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha iu janë rikthyer sulmeve në adresë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës e veçanërisht ndaj diplomatëve të saj.
Ditët e fundit gjithë vëmendja është përqendruar tek lufta Rusi-Ukrainë dhe zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, por ka pasur edhe lajm që kanë kaluar në heshtje. Bëhet fjalë për disa reagime të ashpra që kanë bërë deputetët të opozitës, të njohur ndryshe si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët kanë hedhur akuza të forta në adresë të ambadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Kështu një prej tyre është deputeti Edmond Spaho, i cili njihet si një nga mbështetësit e “Foltores”, ndërsa ka sulmuar dje zotin Blinken. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Spaho e bën diplomatin Blinken përgjegjës për dështimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje Spaho ndër dështimet që ia faturon zoti Blinken është tërheqja e forcave amerikanë nga Afganistan dhe konflikti Rusi-Ukrainë.
“Me invazionin e paprovokuar rus në Ukrainë që shënon luftën e parë madhore në Evropë prej shumë dekadash, vetëm gjashtë muaj pas daljes kaotike dhe katastrofike nga Afganistani, Blinken duke qartë që është i paaftë. Përpjekjet e tij diplomatike kanë dështuar vazhdimisht në mënyrë spektakolare. Ndërsa veprimet e presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin e një vendi sovran janë përgjegjësi e tij, dështimi për ta shkurajuar situatën përmes një diplomacie të duhur e agresive, është përgjegjësi i Blinkenit.
Mungesa e presionit mbi vendet anëtare të NATO-s për të paguar detyrimin e Aleancës, përveç angazhimit në alarmizmin për klimën dhe vetëdëmtimi me përdorimin e burimeve të energjisë nga aktorë armiq po ushqen luftën e Putinit kundër ukrainasve të pafajshëm.
Me një vit në detyrë dhe dy kriza të politikës së jashtme të kaluar tashmë, amerikanët duhet të shqetësohen për “udhëheqjen” diplomatike që drejton Departamentin e Shtetit”, shkruhet ndër të tjera në shkrimin që ka shpërndarë Spaho. Pra Berisha po sulmon amerikanët përmes mbështetësve të tij dhe mediave pranë tij, pas agresionit rus në Ukrainë.
Spaho akuza Yuri Kim
Por Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken,nuk ishte e vetmi, pasi target i akuzave të deputeti Edmond Spaho ka qenë edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, të cilën në rrjetet sociale e sulmon përmes fjalëve të ish-eurodeputetes Doris Pack. Kjo e fundit dy ditë më parë dha një intervistë për një media shqiptarë, ndërkohë që zoti Spaho ka ndarë pasazhe të fjalës së saj në llogarinë e tij në “Facebook”, ku kritikohen qëndrimet e ambasadores Kim dhe i kërkohet të mos përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë.
“Ish-eurodeputetja Doris Pack, në një intervistë për në “Top Talk”, komentoi situatën politike në Shqipëri. Ajo foli me tone të ashpra për përfshirjen politike që “ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka bërë në Shqipëri, duke nisur që nga vendimi i shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha”.
Sipas Doris Pack, asnjë ambasador nuk mund të ndërhyjë në çështjet politike të një vendi dhe “është turp që në një vend të pavarur siç është Shqipëria të kemi përfshirje të tilla”.
“Jam duke folur për atë që po bën tani zonja ambasadore e SHBA-së. Shqipëria është një vend i pavarur dhe asnjë ambasador nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme politike të një vendi. Mendoj që kjo është turp dhe ju si Shqipëri duhet të ndjeni turp, pasi kjo gjë po heq nderin”, u shpreh Pack, citon Spaho.