Vettingu nuk i ka çelur ende seancat publike ndaj anëtarëve të Gjykatës së Larte. Të dhënat e Open Data Albania tregojnë se mesatarisht çdo anëtar i Gjykatës së Lartë ka raportuar të ardhura vjetore katër herë më të larta se paga si gjyqtar, ndërsa pasuria neto e tyre llogaritet të jetë 8.4 milionë dollarë.
Ajo që dihet është se trupat e KPK po kryejnë hetim të thelluar ndaj gjyqtarëve të lartë, e për këtë po kërkohet shpjegim shtesë duke marrë shkas nga mospërputhjet me deklaratat e pasurive në vite.
Siç thonë burimet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit llogari po kërkohet edhe për udhëtimet e shpeshta të gjyqtarëve të lartë, apo faturat për shkollimin e fëmijëve jashtë vendit, siç është rasti i gjyqtarit Artan Zeneli, fëmijët e të cilit po ndjekin studimet në Austri.
Ajo që bie në sy në deklarimin e pasurive të gjyqtarëve të lartë është se shumica e tyre i arsyetojnë më së shumti të ardhurat nga objekte të dhëna me qira, por edhe nga familjarët.
Kjo është mënyra e duhur me të cilën i ka deklaruar pasuritë edhe gjyqtari Artan Zeneli. Gjyqtari Zeneli gjatë vitit 2016, sipas monitorimit të OPEN DATA deklaron 20.400 euro si të ardhura nga qiratë.
Kjo rritje e beftë e pasurisë së gjyqtarit të lartë brenda vetëm një viti është pohuar prej tij në rubrikën “Të ardhura qiradhënie”.
Kjo rubrikë është bosh përgjatë viteve 2012 deri 2015, ashtu si edhe të ardhurat nga ortakëritë, trashëgimitë apo edhe aksionet.
Fillimisht, gjatë këtyre viteve gjyqtari Zeneli tregon si të ardhura rrogën e bashkëshortes, Valbona Zeneli si edhe pagën e shpërblimet e marra si gjyqtar, por edhe një kredi të pashlyer prej 104.908 euro.
Artan Zeneli rezulton të ketë një pasuri bruto prej 65,639.890 lekë, ose ndryshe gjysmë milioni euro. Të gjitha këto lëvizje shtojnë dyshimet mbi arsyet e vërteta se përse gjyqtari Artan Zeneli pasi ligji i vettingut hyri në fuqi , ai nuk pranoi të merrte drejtimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ky vend u la bosh nga gjyqtarja e lartë e dorëhequr, Mirela Fana, që u dorëhoq befasisht.
Siç parashikon ligji, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë tre organet prioritare që i janë nënshtruar vettingut çka do të thotë se edhe risku për të ngelur në provim është akoma i lartë, ashtu si për Artan Zenelin, që është njëri prej anëtarëve të gjykatës 8.4 milionë. Deri më tani, të pesë të larguarit u shkarkuan nga KPK pikërisht për shkak të mosjustifikimit të aseteve.
Gjyqtari Artan Zeneli e ka nisur karrierën si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitin 1991, ndërsa është dekretuar si gjyqtar i lartë në 2012.
Ai njihet si gjyqtari që kundërshtoi kolegët e tij duke dhënë votën pro lirimit të Tom Doshit, i arrestuar aso kohe për kallëzim të rremë. Është gjyqtari që refuzoi rekursin e prokurorisë për 21 janarin, e po ashtu gjyqtari që ka në dorë fatin e Ermal Hoxhës, nipi i ish-diktatorit, i cili kërkon pafajësi nga akuza për trafik droge.